Konfirmohet: Xavi po përgatitet për ta marrë drejtimin e Barcelonës

10:54 | 29 June 2020

Xavi e pranon se po përgatitet për ta marrë drejtimin e Barcelonës.

Xavi ka zbuluar se ai dhe stafi i tij i trajnerëve janë duke bërë përgatitje të mëdha për ta udhëhequr Barelonën, e cila është buzë humbjes së titullit në La Liga këtë sezon.

Për Xavin – i cili është trajner i tanishëm i Al-Sadd – është përfolur se do të emërohej trajner i Barçës edhe në fillim të këtij viti, kur klubi e shkarkoi Ernesto Valverden, vendin e të cilit, megjithatë, e zuri Quique Setien, transmeton Gazeta Express.
Barcelona nuk ka bindur nën udhëheqjen e Setien këtë sezon, megjithatë, dhe si kampione në fuqi e Spanjës, tani ngel dy pikë prapa rivalit, Real Madrid, në garë për titull në La Liga kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje për t’u luajtur.

Derisa i shpalosi planet për të ardhmen në Barçë, 40-vjeçari këmbënguli se nuk do të kthehet në Camp Nou nëse nuk ka kontroll të plotë në klub, përfshirë për të marrë vendime.

“Shpresa më e madhe që e kam tani është të jem trajner i Barçës dhe ta bëj Barçën të fitojë sërish”, tha Xavi.

“Jo unë, por këta lojtarë dhe Barça të triumfojnë. Si pastaj stafi jonë teknikë, i cili është duke u përgatitur shumë për këtë dhe kjo na ngazëllen”, shtoi ai.

Xavi, i cili i fitoi 25 trofe gjatë karrierës së tij si futbollist me Barçën, shtoi: “Unë jam njeri klubi. Dua të kthehem në momentin e duhur për ta nisur projektin nga zeroja. E kam thënë shumë herë, por dua që unë të jem ai që i merr vendimet rreth futbollit. Është e qartë se pas zgjedhjeve skena do të jetë gati, natyrisht. Nuk hedh poshtë asgjë”.

Zgjedhjet e reja presidenciale në Barcelonë do të mbahen në verën e vitit 2021 me presidentin e tanishëm, Josep Maria Bartomeu, që nuk do të garojë më.

Komento: