Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.
Një sherr mes vëllezërve ka ndodhur edhe dje në fshatin Resinoc në Lipjan, ku si pasojë një 53-vjeçar ka përfunduar në spital.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan kanë bërë me dije se 53-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve trupore që kishte marrë si pasojë e goditjeve.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar 51-vjeçarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.