Konflikt familjar në Podujevë: I mituri rrah babain e tij, i del në ndihmë edhe nëna

21:43 | 21 January 2023

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Katunisht të Podujevës, ku janë përfshirë prindërit dhe djali i tyre 16-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar kryefamiljari, i cili ka deklaruar se është viktimë e dhunës së shkaktuar nga djali i tij i mitur.

Bazuar në dëshminë e tij, ka qenë edhe bashkëshortja ajo e cila e ka kërcënuar. Shkaku i dhunës së përjetuar, ai ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve që kishte marrë.

Ndërkohë si rezultat i denoncimit, është intervistuar në Polici edhe gruaja e dyshuar, e cila para hetuesve policorë ka pranuar se ka kërcënuar bashkëshortin e saj.

Njësitë policore kanë kërkuar edhe për të miturin, mirëpo i njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur dhe ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.

Komento: