
Ndërsa presidenti Donald Trump kërkon dhjetërs miliarda dollarë për ta financuar luftën me Iranin, demokratët në zkongres kanë dhënë një mesazh të qartë – dhe historikisht të pazakontë.
Jo.
Operacioni i Trumpit në Iran është shndërruar tashmë në luftën më partiake në historinë moderne të SHBA-së, duke shënuar herën e parë që njëra parti refuzon plotësisht kërkesat për financim të luftës të paraqitura nga komandanti i përgjithshëm i vendit.
Demokratët janë, për herë të parë në të paktën një shekull, plotësisht të bashkuar kundër një lufte që nga fillimi i saj. Ata po refuzojnë të mbështesin fonde shtesë. Po votojnë masivisht për t’i kërkuar Trumpit t’i tërheqë trupat. Madje, në shenjë proteste, po refuzojnë edhe një paketë më të gjerë të politikave të Pentagonit, e cila përfshin dispozita kryesisht të palidhura me këtë luftë të veçantë, si për shembull një dispozitë që parashikon rritjen e pagave për ushtarët, shkruan CNN.
Ky është një ndryshim i madh politik krahasuar me vitet e kaluara, kur demokratët druheshin nga akuzat se nuk po mbështesnin trupat amerikane gjatë një konflikti. Por ligjvënësit e partisë argumentojnë se opinioni publik amerikan, përfshirë edhe votuesit republikanë, është në anën e tyre dhe se mbështetja e republikanëve për luftën do të jetë një vijë e qartë ndarëse në prag të zgjedhjeve të nëntorit.
Udhëheqësit republikanë janë të zemëruar, me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili e quajti “të turpshme” refuzimin e demokratëve për të financuar Pentagonin, veçanërisht në një kohë kur ka shqetësime për pakësimin e rezervave të municioneve dhe kur administrata ka kërkuar afro 70 miliardë dollarë shtesë si fonde emergjente për të ndihmuar në financimin e operacioneve ushtarake në Iran.
Kundërshtimi i demokratëve bazohet në disa arsye. Partia është tashmë përgjithësisht më skeptike ndaj përfshirjes në konflikte të huaja dhe shumë më pak mbështetëse ndaj Izraelit, partnerit kryesor të SHBA-së në çështjen e Iranit. Por partia është edhe më dyshuese ndaj Trumpit – veçanërisht krahasuar me administratën e mëparshme republikane gjatë kohës së luftës – dhe është e zemëruar me mënyrën se si ai ka menaxhuar pothuajse çdo aspekt të luftës me Iranin.