Pavarësisht trazirave, Kongresi e certifikon Bidenin si president të SHBA-së.
Kongresi amerikan konfirmoi fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden, pas numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor dhe rrëzimit të të gjithë kundërshtimeve nga ana e disa kongresmenëve dhe senatorëve republikanë.
Pas numërimit të votave të elektorëve nga shteti i Vermontit, presidenti i zgjedhur Biden dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Harris arritën kuotën e 270 votave që nevojiten për të fituar presidencën.
Senati dhe dhoma e përfaqësuese hodhën poshtë me votë pretendimet e republikanëve për të mos njohur votat e Kolegjit Zgjedhor për shtetin e Xhorxhias dhe të Pensilvanisë, pas debateve në secilën prej dhomave. Republikanët kundërshtuan rezultatin edhe në Arizona, Nevada dhe Miçigan, por këto pretendime u hodhën poshtë pa u debatuar.
Certifikimi vjen pas një dite plot tensione, që kulmoi me 4 viktima kur mbështetësit e presidentit në detyrë Donald Trump mësunë në godinën e Kongresit, për të bllokuar procesin. Kongresmenët dhe senatorët u larguan nga salla për disa orë deri në rivendosjen e rregullit dhe më pas procesi rifilloi.
Me këtë rezultat, merr fund edhe një prej zgjedhjeve më të kontestuara në historinë moderne amerikane, ndërsa Biden pret tashmë 20 janarin për të bërë betimin dhe për të nisur presidencën e tij. Demokratët siguruan një tjetër fitore të mërkurën, duke marrë edhe 2 vende në Senat, çka i japin kontrollin e dy dhomave për herë të parë pas 10 vitesh.