Konjufca thotë se deri javën e ardhshme Kuvendi duhet të shpërbëhet, në mesin e shtatorit zgjedhjet.
Shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se presidenti Hashim Thaçi qëndron prapa skenarit të PDK-së, që të mos ketë zgjedhje në Kosovë.
Duke ftuar që të shkohet me shpërbërje të Kuvendit, ai po thotë se një gjë e tillë do të ndodhë posa që LDK t’i përfundojë zgjedhjet e brendshme.
Konjufca tregon edhe pse nuk do të ketë koalicionin parazgjedhor në mes të VV-së e LDK-së, e se kush e meriton postin e kryeministrit.
Sipas Konjufcës Thaçi e PDK po punojnë fort që të mos ketë zgjedhje, pasi thotë se kjo parti është në pikën e tyre më të ulët të mundshme prej që ekziston.
Ai thotë se Thaçi po dëshiron me gjet një zbrazëti ligjore apo kushtetuese që do t’ia mundësonte një far manovre përfundimtare për shtyrjen e zgjedhjeve.
Konjufca thotë se nuk kanë marrë kurrfarë ftese për takim nga Thaçi, ndërsa shton se partia e tij nuk merr pjesë në kurrfarë kalkulime të tjera që kanë lidhje me mandatarin e ri, me vazhdimin e jetës së Qeverisë apo zëvendësimin me një qeveri tjetër pa zgjedhje.
“Pra Vetëvendosje nuk do të bëhej pjesë e kurrfarë takimi të tillë, përveç se nëse do të flitet për datën e zgjedhjeve. Ai do të ishte një takim simbolik ku ne e themi qëndrimin që zgjedhjet të mbahen menjëherë”, ka thënë ai.
Konjufca më tej ka deklaruar se beson që deri javën e ardhshme kuvendi duhet të shpërbëhet në mënyrë që në mesin e shtatorit të ketë zgjedhje në Kosovë më së largu.
Ai më tej ka thënë se partia e tij e preferon një koalicion parazgjedhor me LDK-në, por kjo e fundit nuk po dëshiron, andaj do të shkojnë veçmas.
“Lëvizja Vetëvendosje i ka shpjeguar pozicionet e veta në vazhdimësi, këto pozicione së pari kanë të bëjnë me atë që ne mendojmë që do të duhej të ndodhte në Kosovë së pari, e kjo do të ishte që pushteti i deritanishëm kështu siç është do të ishte mirë që të shkonte në opozitë. Tjetra është që Lëvizja Vetëvendosje prej të gjitha koalicioneve parazgjedhore e preferon një koalicion me LDK-në, sepse kjo do të shkaktonte një fitore masive në nivel nacional e cila nuk do të diskutohej dhe prej të cilave do të rrjedhin e drejta e qeverisë, e drejta për me e udhëheqë Kuvendin pa kompromise tjera, mirëpo, meqenëse LDK ka shpjeguar konceptin e vetë që nuk po donë koalicionin parazgjedhorë me VV-në atëherë tashmë është e qartë se pothuajse se këto subjektet më të mëdha politike që janë LDK e VV ka shumë gjasa që të shkojnë në zgjedhje veçmas, pas zgjedhor natyrisht që nuk përjashtohet është më i mundshmi dhe ma i pëlqyeshmi”, ka deklaruar Konjufca për Express.
I pyetur se nëse shkohet me koalicion paszgjedhor dhe Vetëvendosje e LDK fitojnë zgjedhjet, kush merr postin e kryeministrit, Konjufca ka thënë se kushdo që zgjedhet në krye të LDK-së do të ishte më pak i përgatitur se Kurti për kryeministër.
“Unë uroj që në krye të LDK-së të vijë një kryetar që e sheh prej një prizmi pozitiv bashkëpunimin me Vetëvendosjen mirëpo, pavarësisht se kush vjen kryetar në LDK, unë mendoj që për kryeministër do të ishte dukshëm më i papërgatitur se Albin Kurti, kushdo që vjen pa përjashtim”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa duke folur për një bashkëpunim të mundshëm me PSD-në, ai këtë parti e ka quajtur satelit të PDK-së.
“Jo nuk ka diskutime të tilla në Lëvizjen Vetëvendosje. Mendoj që pushteti aktual që ka qenë deri tani në Qeverisje që ka qenë në Qeverisje e kjo i bie akronimi PAN do të ishte më së miri për Kosovën që të përfundonte në opozitë, po nuk do të ishte keq që koalicioni PAN në opozitë me i marrë edhe satelitët e vetë”, ka deklaruar Konjufca.