
Sipas Nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, se vendimi i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit mund të ketë pasoja të rënda për shtetin.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ai theksoi se Kushtetuesja nuk duhet të shkojë përtej dispozitave themelore të Kushtetutës dhe paraqiti dy skenarë: ose Kuvendi do të vazhdojë normalisht punën, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha Konjufca.
“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe. Ne e kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë. E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni që ta propozoj për kryeministër, para këtij Këshilli të përgjithshëm, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”, shtoi Konjufca.