Konjufca: Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt

13:03 | 24 Mars 2024
konjufca:-lavdi-e-perjetshme-hime-haradinajt,-gazmend-e-agron-mehmetajt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Gllogjan në 26-vjetorin e Epopesë.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se i kujtoi dhe nderoi dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë.

“Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë. Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë”.

“Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë. Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë. Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka thënë Konjufca.

Komento: