
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”, që u hap nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të sulmeve ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë dhe Jugosllavisë.
Konjufca tha se ndien kënaqësi të veçantë që po merr pjesë në hapje të kësaj ekspozite, në veçanti në 25 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s në ish-Jugosllavi.
“Përkimi i kësaj ekspozite të librave të shkruara për Kosovën në gjuhë të huaj, me luftën që NATO e nisi për të shpëtuar popullin e Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi, na nxit domosdoshmërisht të reflektojmë se lufta e popujve për liri e çlirim, e veçanërisht e popujve të vegjël, gjithnjë duhet të zhvillohet në shumë fronte, sepse ajo shumë shpesh varet nga aleanca dhe mbështetja e popujve dhe shteteve të mëdha”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se sensibilizimi i opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtën e saj për liri dhe pavarësi nga Serbia ka qenë një front i rëndësishëm në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar dhe se ishin autorët e huaj, përkatësisht kontributi i tyre që ndikoi padyshim në krijimin e një opinioni pozitiv në botë për lirinë e shqiptarëve.
Ai përmendi me këtë rast botimin e shumë librave të autorëve, të cilët edhe vetë ishin përfshirë në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, si ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Blair, ish-kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joshka Fischer, ish-komandantin e NATO-s, Wesley Clark e shumë figura të njohura ndërkombëtare, në librat e të cilëve, siç tha kryetari Konjufca, çështja e Kosovës zë një kapitull të veçantë dhe mbetet si një trashëgimi në kujtesën historike në shoqërinë e tyre.
“Këto biografi e libra analizash të periudhave kur ata vepruan mbesin edhe si një argument që do t’u shërbejë pasardhësve të tyre për të mos harruar politikën e drejtë që ata ndoqën në përkrahje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës”, tha kryetari Konjufca.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit përgëzoi ASHAK-un për ekspozitën me botimet e librave të këtyre miqve, që siç tha ai, është jo vetëm shenjë mirënjohje ndaj tyre, por edhe kujtesë se sa e rëndësishme është që të triumfojë e vërteta përballë propagandës, si një kusht esencial për paqe në botë.
