Konjufca në fushatën kundër dhu’nës me bazë gjinore: Obligohemi që të punojmë për një shoqëri të barabartë dhe pa dh’unë

13:08 | 26 November 2024
konjufca-ne-fushaten-kunder-dhu’nes-me-baze-gjinore:-obligohemi-qe-te-punojme-per-nje-shoqeri-te-barabarte-dhe-pa-dh’une

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë dhe mbajti fjalë në Konferencën “Të Bashkuar Kundër Dhunës – Mjaft!”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, në kuadër të fushatës globale të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Konjufca tha se kjo fushatë është dëshmi se në përpjekjet për të luftuar dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, është i domosdoshëm solidarizimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i përditshëm.

Dhuna gjinore sipas kreut të Kuvendit fatkeqësisht mbetet një problem i madh, dhe ndonëse janë bërë hapa domethënës për avancimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e ndërgjegjësimit, ende ka shumë punë për të bërë.

Kryetari Konjufca tha se nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit ekzistues, janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm për mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës, ndërsa institucionet tona janë më të përgatitura tash për t’iu përgjigjur nevojave të viktimave të dhunës.

“Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka hartuar dhe miratuar nismën ligjore për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, dhe këtë jemi përpjekur ta harmonizojmë me Konventën e Stambollit. Ligji njeh lloje të ndryshme të dhunës, duke përfshirë lëndimin fizik, seksual, psikologjik ose ekonomik, por edhe dhunën ndaj grave në politikë, ngacmimet e ndryshme si dhe ngacmimet seksuale në internet”, theksoi Kryetari Konjufca.

Në vazhdim të fjalës së tij i pari i Kuvendit tha e se përkundër të gjitha këtyre masave ligjore dhe institucionale, edhe plot fushatave të tjera vetëdijësuese që kanë ndodhur dhe po ndodhin, progresi nuk është i kënaqshëm, përderisa rastet e dhunës ndaj grave nuk është që kanë pësuar rënie të ndjeshme.

“Kjo na bën të mendojmë që nevojitet një qasje holistike ndaj këtij fenomeni, një strategji e gjerë që trajton të gjitha aspektet dhe faktorët që direkt apo indirekt ndërlidhen me këtë problematikë”, theksoi kryeparlamentari Konjufca, duke bërë thirrje për fokusim në zhvillimin e një edukimi të hershëm që promovon vlera të barazisë dhe respektit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se ky fenomen nuk mund të luftohet vetëm me mekanizma institucionalë, pra nuk janë të mjaftueshëm, por kjo është përgjegjësi e jona e përbashkët.

“Secili prej nesh ka për obligim që të angazhohet dhe të punojë për një shoqëri të barabartë dhe pa dhunë”, tha kryetari Glauk Konjufca.

Komento: