Konjufca në Kuvendin e Shqipërisë: 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive

10:42 | 27 November 2022

Konjufca: 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive.

Sot për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e përbashkët, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

E në këtë seancë, fjalimin e tij e mbajti kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të ëndrrat tona kolektive.

“28 nëntori i mbanë në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”

Ai u shpreh se sa më afër që janë Kosova dhe Shqipëria, aq më lehtë do të jetë, siç u shpreh ai, për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë, përcjell Klankosova.tv.

“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjeprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t’i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm në rrethanat e reja të shekullit 21”, u shpreh ai.

Komento: