Konjufca pret delegacionin aziatik, potencon rëndësinë e njohjes së Kosovës

15:20 | 22 November 2024
konjufca-pret-delegacionin-aziatik,-potencon-rendesine-e-njohjes-se-kosoves

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin nga Azia Jugore të përbërë nga profesorë, studiues, anëtarë institutesh dhe gazetarë që vijnë nga vende si Nepali, Bangladeshi, India dhe Maldivet.

Sipas komunikatës së Kuvendit, Konjufca potencoi nevojën për një bashkëpunim sa më progresiv dhe me vlera mes vendeve të kontinentit të Evropës dhe Azisë.

“Kryekuvendari Konjufca dhe mysafirët diskutuan rreth çështjeve të ndryshme ku përfshihet nevoja për rritje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe vendeve të Azisë Jugore në fusha të tregtisë, por edhe të parlamentarizmit, nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga vendet mosnjohëse të këtij rajoni, për rëndësinë e parlamentarizmit dhe rolin e mediave”, njofton Kuvendi.

Mysafirët të cilët gjenden në Prishtinë për të marrë pjesë në Konferencën “Prishtina Dialogue”, e falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe diskutimin përmes të cilit u njohën së afërmi me pikëpamjet, kontekstin e vendit dhe rajonit tonë.

Komento: