Konjufca: Serbisë duhet t’ia kemi frikën, agresioni ndaj Kosovës nuk përjashtohet

15:56 | 04 Mars 2022

“Unë nuk kam frikë le të themi të pajustifikuar se kjo marrëveshje mund të shkelët nga ana e Serbisë përmes një sulmi, por ne gjithmonë duhet të jemi të gatshëm që në raport me Serbinë ta mendojmë skenarin më të keq të mundshëm”, ka deklaruar Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se situatat e krijuara në Ukrainë mund të ndikojnë në aplikimin për BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Foli edhe për praninë e NATO-s në Kosovë.

Ai tha se nuk duhet përjashtuar kurrë mundësia e agresionit serb mbi Kosovën. Sipas Konjufcës, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të këqija se ato mes Rusisë e Ukrainës.

“Natyrisht që NATO është e pranishme në Kosovë dhe përveç kësaj është e pranishme sipas një marrëveshje ushtarake që e ka me Serbinë. Unë nuk kam frikë le të themi të pajustifikuar se kjo marrëveshje mund të shkelët nga ana e Serbisë përmes një sulmi, por ne gjithmonë duhet të jemi të gatshëm që në raport me Serbinë ta mendojmë skenarin më të keq të mundshëm. Relacioni shtetëror i joni është më i keq se i Federatës Ruse me Ukrainën”, tha Konjufca.

“Federata Ruse e ka njoftë Ukrainën, ishte pajtuar me shtetësinë e saj dhe prapë e ka sulmuar. Serbia ne as nuk na njeh. Nga ky kuptim unë mendoj se duhet të kemi kujdes të shtuar me Serbinë. Kurrë nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta shtojnë nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Kosova duhet padyshim ta ketë edhe nivelin artilerik të ushtrisë së vet. NATO-n si partnerë duhet t’i bindim që Kosova ka nevojë për këtë gjë”, ka thënë ai.

Ai krahasoi sulmin e Rusisë në Ukrainë për të cilin tha se askush nuk e mendonte këtë, duke shtuar se një gjë e tillë mund të ndodhë, e se edhe “me Serbinë duhet ta kemi këtë frikë dhe këtë shqetësim”.

Sa i përket zgjedhjeve në Serbi të 3 prillit, Konjufca tha se mbajtja e tyre në mënyrën si janë mbajtur deri tash është më e sigurt për stabilitetin, pra duke mos e pranuar referendumin serb.

Komento: