Konjufca: Shteti ynë është përmirësim i padrejtësisë njëshekullore kundrejt popullit të ndarë shqiptar

00:08 | 28 November 2024
konjufca:-shteti-yne-eshte-permiresim-i-padrejtesise-njeshekullore-kundrejt-popullit-te-ndare-shqiptar

Shpallja e Pavarësisë Kombëtare shqiptare nga Perandoria Osmane më 28 Nëntor 1912 dhe themelimi i shtetit sovran, përbën ngjarjen më të rëndësishme historike për të gjithë shqiptarët.

Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në pritjen festive të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, në shënim të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Konjufca tha se pavarësisht se shteti i ri shqiptar u njoh në përmasa më të reduktuara territoriale në raport me shtrirjen gjeografike të popullsisë shqiptare, lufta për çlirim dhe pavarësi, emancipim dhe shtet u zhvillua gjatë në kohë dhe i përfshiu të gjitha trevat shqiptare.

Kjo luftë për pavarësi, shtoi kryetari Konjufca, erdhi si rezultat i zgjimit tonë kombëtar dhe i ngritjes së vetëdijes mbi identitetin tonë të përbashkët etnik, historik, gjuhësor e kulturor shqiptar.

“Ky përbashkim kombëtar gjithëshqiptar që nisi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe kulmoi me Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë, ishte meritë e veprimtarisë së palodhur patriotike e emancipuese, arsimore e kulturore, politike e mobilizuese e rilindasve tanë. Autoktonia jonë e lashtë, gjuha e vjetër shqipe, lufta e Skënderbeut për lirinë e Arbrit dhe përkatësia Perëndimore e shqiptarëve ishin vlerat mbi të cilat Rilindja jonë Kombëtare e rizgjoi dhe e ngriti kombin shqiptar pas një periudhe gati pesëshekullore nën pushtim”, tha kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se një rizgjim i tillë nuk mund të kishte sukses veçse përmes flamurit kuq e zi me shqiponjën dykrenare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Prandaj, shtoi kryetari i Kuvendit, 28 Nëntori festohet edhe si Dita e Flamurit kombëtar shqiptar, jo veç në Shqipëri, por gjithandej ku ka shqiptarë, sepse ky flamur ishte ngrehina jonë kombëtare e përkatësisë dhe identitetit, e mbrojtjes dhe rezistencës, atëherë kur sovraniteti ynë kombëtar ishte i paplotë, e Shqipëria e 1913-ës ishte e pamjaftueshme.

28 Nëntori, tha më tej Konjufca, është festë edhe e shtetit të Kosovës, “sepse vetë shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nëntorit, është përmirësim i padrejtësisë njëshekullore kundrejt popullit të ndarë shqiptar”.

“Prandaj, nuk është e rastit që edhe UÇK-ja, Ushtria jonë Çlirimtare doli publikisht me 28 Nëntor, e që është edhe ditëlindja e Komandantit të saj, Adem Jasharit”, nënvizoi kryetari Konjufca.

Komento: