Konjufca telegram ngushëllimi homologut turk, pas tërmetit të fuqishëm

17:49 | 27 Janar 2020

Të premten që shkoi, Turqia është goditur nga një tërmet 6.8 ballësh.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mustafa Şentop, pas tërmetit shkatërrimtar, i cili mori jetën e dhjetëra qytetarëve turq.​

Konjufca ka thënë që ndihet i pikëlluar pas lajmit për tërmetin që goditi Turqinë.

“Shkëlqesia Juaj, Ndihem thellë i pikëlluar nga lajmi i tërmetit që goditi Republikën e Turqisë. Në këto momente të rënda për ju dhe popullin Republikës së Turqisë, në emër të Kuvendit të Kosovës dhe emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Ne bashkëndjejmë me familjet e atyre që humbën më të dashurit e tyre, familjet e të lënduarve dhe familjet atyre që janë ende të pagjetur. Shpresoj se ekipet e shpëtimit do të kenë sukses në parandalimin e humbjeve të mëtejshme”, ka thënë Konjufca në telegramin e tij.​

Komento: