
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, thotë se Qeveria e Kosovës nuk e përshëndet emërimin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajcakut për t’u marrë me dialogun Kosovë – Serbi. Përvec kësaj, Konjufca thotë se është e papranueshëm që Kosova të jetë në një pako me Bosnjën e Hercegovinën.
Konjufca po raporton për herë të parë para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Ai ka treguar se është takuar dy herë me Lajcakun, të cilin e ka emëruar Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell. Konjufca thotë se është e papranueshme për Kosovën fakti që BE’ja ia ka caktuar Lajcakut për t’u marrë me Kosovën dhe me Bosnjën. Ai thotë se Kosova nuk pranon të shihet si Bosnja.
“Dy herë e kam takuar z. Lajcak, Ne ia kemi bërë me dije z. Lajcak, që është shumë e rëndësishme të krijohet një konsensus nacional. Hapi i parë i Qeverisë Kurti do të jetë konsensusi nacional mes spektrit parlamentar. E dyta, është paknaqësia jonë, nëse përzihet Kosova me Bosnjën në të njëjtën pako. Për Republikën e Kosovës është e rëndëisishme që Kosova të jetë një entitet i vecantë”, ka thënë Konjufca, transmeton Express
“Ne ia kemi bërë të qartë z. Lajcak. Kosova nuk ka pse të jetë në një pako me Bosnjën. Ne nuk duam të jemi si Bosnja në organizmin e brendshëm”, u shpreh ai.
Konjufca thotë se Qeveria e Kosovës nuk është e kënaqur që BE’ja ka emëruar Borrellin, që vjen nga Spanja dhe Lajcakun, që vjen nga Sllovakia, për të lehtësuar dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk mund ta përshëndesim faktin që Lajcak vjen nga një shtet që nuk e njeh, as si Qeveri e as si Ministri e Jashtme. Nuk është një rrethanë lehtësuese për Kosovën. Nuk mund të jetë kombinatorika më e mirë edhe z. Borrell edhe z, Lajcak, që vijnë prej shteteve që nuk e njohin Kosovën, të caktohen për dialogun e Kosovës me Serbinë”, ka thënë kryediplomati kosovar.