Këshilli i Ministrave në mbledhjen e saj nuk ka vendosur në favor të liberalizmit të vizave, ndërsa ka kërkuar që taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës të hiqet menjëherë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth konkluzioneve nga Këshilli Europian për vendimet e tyre rreth Ballkanit Perëndimor, ku ka thënë se ata kanë probleme të brendshme për të cilat nuk ka faj Kosova.
Thaçi këto konkluzione i quan zhgënjyese duke thënë ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj.
“Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale”, ka shkruar Thaçi
Ja postimi i tij i plotë:
Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës.
Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.
Pne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj
Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale.
Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës.
Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit.
Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.
Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. HTH