Konkurset e fushatës, MAP-i thotë se të gjitha shpalljet e pas 12 shtatorit duhet të anulohen.
Me dhjetëra lajme janë publikuar së fundmi për konkurset e shpallura në institucione publike në kohë fushate, e së voni edhe të paligjshme, por Ministria që koordinon rekrutimin e shërbyesve civilë, këto zhvillime po i merr me komoditet.
Ndër institucionet e fundit që kanë shpallur konkurs për disa pozita, është Këshilli Prokurorial i Shtetit, raporton KTV.
I njëjti ka qenë i hapur për konkurrim ndërmjet datave 16 e 30 shtator dhe i referohet Ligjit për Shërbyesit Civilë, i shfuqizuar më 12 shtator, me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka zhvilluar procedurat e rekrutimit të shërbyesve civilë në kuadër të sistemit prokurorial, me qëllim të zbatimit të planifikimit të rekrutimit të personelit për vitin 2019. Andaj, kërkesat për aprovim të konkurseve janë realizuar në sistemin elektronik për menaxhimin e burimeve njerëzore, sistem ky, që administrohet nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe të njëjtat pas aprovimit janë shpallur. Pra konkurset janë publikuar në koordinim me Ministrinë e Administratës Publike, ndërsa sa u përket proceseve vijuese do të veprohet po ashtu në koordinim me këtë ministri”, thuhet nga Zyra për Komunikim Publik e KPK-së.
Konkurset, sipas një përgjigjeje nga Prokuroria, ishin publikuar në koordinim me Ministrinë e Administratës Publike.
Përveç reagimeve të shoqërisë civile, të mërkurën pati edhe një reagim nga zyra e BE-së në Kosovë, që kërkonte ndërprerjen e konkurseve të shpallura aktualisht, pa u miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Vetëm tani, Ministria e Administratës Publike, ka në plan që t’i njoftojë institucionet që konkurset duhet të rishpallen.
Por, edhe legjislacioni sekondar i Ligjit për Zyrtarët Publikë, megjithëse i gatshëm, duhet të presë miratimin nga qeveria e re.
Pakoja e ligjeve për reformën në administratën publike, pjesë e të cilit është edhe Ligji për Zyrtarët Publikë, ishte miratuar në shkurt të këtij viti.
I njëjti pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën e punësimit të shërbyesve civilë, me synim rritjen e punësimeve në bazë të meritës në administratën shtetërore.