KPK-ja ka shmangur britanikët nga konkursi për kryeprokurorin special.
Një nga pozitat kryesore në sistemin prokurorial – pozita e kryeprokurorit special, do të rekrutohet pa asistencën e Ambasadës Britanike.
Kjo, sipas kësaj Ambasade, është si pasojë që Këshilli Prokurorial i Kosovës, me gjithë kërkesën e Ambasadës për të asistuar këtë proces, nuk ka pranuar një gjë të tillë brenda kohës së kërkuar nga britanikët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Para dy ditësh janë intervistuar katër kandidatët për pozitën e kryeprokurorit special. Komisioni ka qenë i përbërë nga tre prokurorë të niveleve të ndryshme të sistemit prokurorial. Pas intervistimit është bërë poentimi.
Sipas komisionit vlerësues, prokurori Haki Gecaj e Blerim Isufaj do të propozohen që të votohen në Këshill Prokurorial. Kandidatët që janë poentuar më pak dhe që nuk e kanë kaluar këtë filtër janë prokurori Atdhe Dema e Armend Hamiti.
Në Këshillin Prokurorial nuk kanë pranuar se e kanë “anashkaluar” asistencën e Ambasadës Britanike.