
Seanca e djeshme(8 gusht) e Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me konstituim të këtij institucioni, pasi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutim të mëtejshëm për një marrëveshje politike edhe për zgjedhjen e presidentit, që çoi edhe në sulmin me vezë ndaj tij nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Por, vetë mbajtja e kësaj seance jo pardje(7 gusht), por dje (8 gusht), po vlerësohet nga njohës të Kushtetutës si seancë jashtë afatit kushtetues.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tha se Kushtetuta parasheh që brenda 30 ditëve të konstituohet Parlamenti, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025.
“30 ditë parasheh Kushtetuta të konstituohet Parlamenti, që të konstituohet Parlamenti. Po ashtu, Kushtetutën e ka mbështetur edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese 2025, i cili jep urdhër që brenda 30 ditëve të konstituohet Parlamenti. Tash çdo veprim, domethënë, që bëjnë parlamentarët, domethënë është veprim jashtë domenit kushtetues dhe ligjor. Por, domosdoshmërisht ata Kushtetuta i detyron që të konstituojnë Parlamentin si institucion i rëndësishëm dhe institucion bazik, pasi që jemi edhe republikë parlamentare”, tha Kryeziu.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, tek flet për KosovaPress, vë theksin te papërgjegjshmëria e klasës politike, duke vënë në dukje shpenzimet për tri palë zgjedhje. Ai këtë sjellje e quan të papranueshme.
“Është urgjente që kjo klasë politike të jetë më e përgjegjshme sepse kanë abuzuar faktikisht me besimin e dhënë nga qytetarët. Janë organizuar pa bazë, pa arsye, pa nevojë, me shumë shpenzime tri palë zgjedhje dhe tani të grinden mes veti për gjëra, për të cilat mund të merren vesh për disa orë. Është e paarsyeshme, është e papranueshme dhe përfundimisht duhet ta ndërpresin këtë lojë politike dhe këto inate politike që kanë dhe papjekuri, sepse edhe mungesë e emancipimit demokratik dhe politik mund të quhet kjo që po ndodh mes tyre, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje dhe ta propozojnë një president konsensual”, tha Baraliu.
Tani për tani nuk dihet se ç’do të sjellin ditët vijuese në rrafshin e negociatave për krijimin e institucioneve të reja dhe as kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës./KP