
Të mërkurën u konstituua Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Ky komision u konstituua me 7 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Nga anëtarët e këtij komisioni, të pranishëm ishin deputetët Arbërie Nagavci (kryetare), Armend Zemaj (zëvendëskryetar i parë), Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Alban Bajrami, Emilija Rexhepi dhe Slavko Simiq.
Kryetarja e këtij Komisioni, Arbërie Nagavci njoftoi se janë gjithsej 67 kandidatë nga shumica, tre serbë dhe pesë të tjerë nga komunitetet tjera joshumicë. Prej këtyre, ajo tha se do të bëhet përzgjedhja e 6 anëtarëve nga shumica, një anëtar nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.
Derisa pas diskutimeve, Komisioni u dakordua që takimin e radhës ku do shqyrtohet lista dhe dosjet e kandidatëve, ta mbajnë të martën e javës së ardhshme. Në këtë sallë, fillimisht ishin të pranishme edhe anëtaret nga Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shohi. Mirëpo, pasi kaluan 15 minuta, ato u larguan pasi u vonua nisja e mbledhjes. /BetimipërDrejtësi