
Kuvendi i Kosovës, mbështetës i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila u kontestua në së paku tri raste duke u theksuar se ka pasaktësi në të dhënat për Masakrën në Burgun e Dubravës, në Masakrën e Mejës dhe në atë të Krushës së Madhe, ka dalë me një sqarim.
Në këtë sqarim, Kuvendi ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke e hedhur atë te organizatorët.
“Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, u tha në sqarimin e Kuvendit.
Tutje, legjislativi tha se, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.
Kjo, sipas Kuvendit, “është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur”.
“Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm”.
“Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës”, tha Kuvendi në sqarimin publik.
Më shumë nga kontestimi i të dhënave, lexoni në artikullin në vijim: