Kontrata me AM General për sistemet HUMVEE Hawkeye, Maqedonci publikon pamje: FSK po kalon në një fazë tjetër zhvillimi

18:55 | 17 Dhjetor 2025

Prodhuesi i njohur amerikan i industrisë ushtarake AM General ka finalizuar kontratën tregtare trevjeçare me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për furnizimin me sistemet mobile artilerie HUMVEE 2‑CT Hawkeye 105mm, së bashku me mjete mbështetëse, pjesë rezervë dhe trajnime për mirëmbajtjen e tyre, njofton kompania.

E lidhur me këtë ka shkruar ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, i cili thekson se me këtë blerje ushtria e Kosovës po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta.

“Dje nënshkruam një kontratë kornizë me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General. Kontrata përfshin blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS). Në kontratë gjithashtu përfshihen automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje. Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta.

Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, shkruan Maqedonci.

Ndryshe, sipas marrëveshjes, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset me sistemet mobile të artilerisë të montuara mbi platforma të fuqishme HUMVEE, të pajisura me teknologji të patentuar të zbutjes së kthesës (soft recoil) që absorbon deri në 60% të forcës së kthesës.

Kjo i mundëson sistemit të vendoset, të qëllojë dhe të rilëvizë në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën dhe fleksibilitetin krahasuar me artilerinë e tërhequr tradicionalisht.

Kontrata përfshin gjithashtu ambulanca, kamionë komandues dhe mjete të tjera mbështetëse nga familja më e gjerë e HUMVEE-ve, duke zgjeruar kapacitetet operative të FSK-së dhe mundësinë për të krijuar një bateri të plotë artilerie me mbështetje zjarrëindire indirekte.

Dorëzimet pritet të fillojnë brenda dy viteve të ardhshme.

Komento: