Kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund për punëtorët e Telekomit

23:56 | 29 Korrik 2019

Për punëtorët e Telekomit, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë se për punëtorët e kësaj ndërmarrje, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.

Të hënën Bordi i Drejtorëve të Telekomit ka mbajtur një mbledhje të gjatë, por nuk ka treguar akoma nëse do të vazhdohet kontrata pas 30 korrikut. Pavarësisht çdo vendimi që mund të ketë marrë ky bord, sipas Balajt, tashmë punëtorët e konsiderojnë të përfunduar dhe më s’do të zbatojnë marrëveshje potenciale me Z-Mobilen.

“Kjo kontratë duhet të përfundohet më 30 korrik. Për ne gjithçka është e papranueshme. Çdo gjë që ndodh pas kësaj date është e papranueshme. Nesër është data e fundit dhe besoj fuqishëm që duhet të merret një vendim pozitiv për Telekomin sepse çdo vendim tjetër shkatërron edhe një herë Telekomin. Jemi për të mos vazhduar kontrata. U kemi bë apel të gjithëve edhe nga kjo studio edhe me shkresa zyrtare. Besoj se edhe bordi edhe menaxhmenti duhet me dalë me një vendim pozitiv për Telekomin e jo në disfavor. Nuk duhet të vazhdohet”, ka thënë Balaj në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Balajt, kontrata mes Telekomit e Z-Mobilet ka qenë krim i organizuar dhe se me të duhet të merret Prokuroria e shtetit. Ai ka shtuar se pos grevës që ka nisur sot, punëtorët e Telekomit mund të ndërmarrin edhe masa tjera.

“Një ndër opsionet është të mos vazhdojmë më punë për Z-Mobilen. Pse të marr pagë nga Telekomi e pjesën më të madhe të shërbimeve që i sjellin fitim ia kryejmë ne Z-Mobilet nga Telekomi. Kam kontratë me Telekomin, është ndërmarrje publike dhe s’kryej punë për të tjerët”, ka thënë ai më tej.

Balaj ka thënë se përgjegjësit e kontratës që i ka shkaktuar dëme Telekomit duhet të përballen me ligjin, ndërsa ka shtuar se pret që të publikohen edhe emrat e shkelësve.

Ka thënë se janë të gatshëm që të japin edhe jetën vetëm që asetet e Telekomit të mos i marrë përmbaruesi.

“Do të mbrojmë pronën e shtetit, nëse vetë shteti jep urdhëresë që asetet e veta me ia dhënë me polici një krimi të organizuar. Por asetet që janë vlerësuar edhe 1 miliard edhe 350 milion e s’janë shitë e të vlerësohen ashtu s’besoj që duhet marrë vendimi për t’u dhënë. Është e pashmangshme për kaosin që mund të bëhet sepse janë 3500 punëtorë. 25 milionë euro i vlen ndoshta veç ndërtesa kryesore. Mos t’ia mësyn askush por ne s’e lejojmë. Jemi të gatshëm edhe të vdesim”, ka deklaruar më tej ai.

Balaj ka pasur një mesazh edhe për bordin, menaxhmentin, ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Qeverinë e për deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Me asnjë çmim, punëtorët e Telekomit, në asnjë formë, edhe nëse 99.99 për qind janë fitimet e Telekomit e 0.01 për qind të Z-Mobilet, ne s’pranojmë kontratë sepse është kompani që ka zhvat në vazhdimësi. Flasin raportet, komisioni hetimor, ekspertët, e me një kompani që vazhdimisht të shantazhon e të dërgon në Arbitrazh, e që të ka dërguar në përmbarim për të të shantazhuar, nuk duhet të ketë vazhdim. Z-Mobile jep shpirt më 30 korrik, 2019”, ka thënë ai në fund.

Komento: