Koronavirusi nuk po i lë të qeta klubet nga Serie A.
Parma ka njoftuar se një anëtar i ekipit të parë të klubit është testuar pozitiv për COVID-19. Në komunikatë të Parmas sqarohet që i prekuri nuk po shfaq simptoma, nuk është lojtar dhe është vetizoluar.
“Parma Calcio 1913 raporton se në raundin e fundit të testimeve, ka dalë një rast pozitiv për COVID-19. Bëhet fjalë për pjesëtar të stafit të ekipit të parë.
Personi në fjalë, që është plotësisht pa simptoma, është izoluar në përputhje me udhëzimet”, thuhet në njoftim.
Rezultati i testimit të të tjerëve ka dalë negativ, ka njoftuar Parma. Skuadra tani duhet të qëndrojë dy javë në kompleksin stërvitor, në bazë të protokollit. Por ndeshjet do të vazhdojnë normalisht.