Bota në emergjencë! Koronavirusi mbyll gjithçka.
Shkollat janë mbyllur, eventet sportive janë anuluar dhe institucionet kulturore janë mbyllur në të gjithë botë, ndërsa vendet përpiqen të pengojnë epideminë e koronavirusit.
Në të gjitha Shtetet e Bashkuara, sportet janë pezulluar dhe performancat në Broadway janë anuluar për një muaj. Franca, është një nga shtetet më të fundit që njoftoi mbylljen e të gjitha shkollave, universiteteve dhe infermierive. Presidenti Emmanuel Macron, përshkroi epideminë në Francë si krizën më serioze të shëndetit në një shekull. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka filluar izolimin 14 ditor, pasi bashkëshortja e tij Sophi rezultoi pozitive për koronavirusin. Vetë ai nuk ka shfaqur ende simptoma.
Dhe ministri i Brendshëm australian, peter Dutton, është pranuar në spital pasi ka rezultuar pozitiv. Më shumë se 125 mijë njerëz janë diagnostikuar me Covid-19 në 118 vende të botës sipas OBSH-së. Numri total i viktimave është më shumë se 4600. Bursat në të gjithë botën vazhdojnë të shënojnë humbje. Të premten, tregjet aziatike u tronditën me Nikkein në Japoni që ra me 10 përqind, por e rimori veten në fund të ditës, me 6.1 përqind humbje. Kjo pason humbjet në Evropë dhe SHBA, ku bursa e Wall Street-it ra me 10 përqind, në ditën më të keqe të saj që nga e hëna e zezë e 1987, një rënie kjo e pasqyruar edhe në Londër. Katër qytete në Katalonjë të Spanjës u izoluan të enjten, një risi kjo për vendin.
Masat presin rreth 70 mijë njerëz dhe vijnë pasi numri i viktimave në Spanjë u rrit në 84 nga 47 që ishte një ditë më parë. Në Itali, vazhdon mbyllja e restoranteve, bareve dhe thuajse të gjithë dyqaneve me përjashtim të atyre të ushqimeve dhe farmacive. Numri i viktimave ka kaluar 1 mijë në Itali, por ministri i Jashtëm, Luigi di Maio tha se masat e imponuara në zonën ku virusi shpërtheu, kanë rezultuar efektive.
“Ka një mënyrë për të mundur virusin”, tha Di Maio “dhe këtë e provuam me zonat e vendosura në karantinë”.
Të enjten edhe presidenti i Filipineve, Rodrigo Duretre njoftoi ndalimin e udhëtimeve të brendshme nga dhe drejt Manilës, në atë që ai e quajti një izolim të kryeqytetit. Republika e Irlandës, Belgjika, Spanja, Franca, Filipinet, Portugalia dhe Bolivia janë mes vendeve që vendosën të mbyllnin shkollat të enjten. Në Britaninë e Madhe, qeveria tha se një masë e tillë po merrej në konsideratë, por këshilla e shkencëtarëve është se kjo do të bënte më shumë dëm se sa mirë në këtë fazë. Të gjitha udhëtimet shkollore janë ndaluar, sidoqoftë, kushdo që ka kollë apo temperaturë të lartë këshillohet të vetëizolohet për shtatë ditë. Kryeministri britanik tha se kjo ishte kriza më e rëndë e shëndetit publik në një gjeneratë dhe paralajmëroi shumë familje se do të humbisnin të dashurit para kohe.