Dalin dëshmi se koronavirusi përhapet lehtë gjatë fluturimeve të gjata.
Sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Shteteve të Bashkuara, koronavirusi përhapet lehtë në mesin e udhëtarëve gjatë fluturimeve të gjata me aeroplan.
Në raport përmendet rasti i një gruaje që fluturoi nga Londra në Vietnam në muajin mars. Ndonëse ajo e kaloi kontrollin e temperaturës trupore, gruaja pati simptoma disa ditë më vonë dhe më pas doli pozitive në testin për koronavirus.
Përcjellësit e kontakteve arritën që ta lidhnin rastin e saj me 15 pasagjerë të tjerë, të cilët gjithashtu më vonë dolën pozitivë në testin për koronavirus, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ky rezultat i studimit ka një kufizim, sepse në kohën e realizimit të këtij fluturimi nuk kishte obligim për vendosje të maskave gjatë fluturimeve, prandaj ka gjasë që shumica e pasagjerëve të kenë qenë pa maska në aeroplanin në të cilin ndodhej kjo grua.
Ndryshe, kompanitë ajrore kanë pësuar humbje të mëdha financiare nga përhapja e pandemisë për shkak të anulimit të shumë fluturimeve për muaj me radhë. Disa shtete kanë përgatitur pako ndihmëse financiare për t’i shpëtuar këto kompani nga falimentimi.