Korridori për bukën e botës

11:41 | 18 August 2022

Raketa e Rusisë që goditi muret e ndërtesave në Ukrainë, me lëkundjet e saj trazoi mbarë ekonominë globale në themel.

Muaj pas nisjes së konfliktit, Ukraina filloi të përballej me një mungesë të madhe kapaciteti për të ruajtur edhe korrjen e reduktuar të grurit të vitit 2022. Një krizë e konfirmuar nga Programi Botëror i Ushqimit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 19 prill, ndërsa qeveria e Kievit po luftonte për të mbajtur eksportet “gjallë”. Pesha që Ukraina luan në ekonominë globale, veçanërisht në sektorin e drithërave, është konsiderueshëm e madhe.

Jakob Kern, nga Programi Botëror i Ushqimit, koordinator në Ukrainë, u shpreh: “Ukraina është eksportuesi i pestë më i madh në botë i grurit dhe në tre vendet e para për farat e misrit, elbit dhe lulediellit. Prodhimi i grurit në vitin 2021 ishte afërsisht 40 milionë ton dhe 50 milionë ton të tjerë për tre mallrat e tjera. Para konfliktit, Ukraina ushqente botën, tani ata kanë nevojë për ndihmë për të ushqyer veten”.

Fermerët, që i druhen bombave ruse dhe plaçkitjes nga ushtarët pushtues, po humbasin shpresat për ndihmë nga vendet e Perëndimit: “Ne e kuptojmë që ky është një problem i madh, por mendoj se ka vende të tjera të botës që mund të bëjnë diçka. Nuk e shohin apo nuk po e kuptojnë ata se çfarë po ndodh? Ata duhet të na ndihmojnë pak sepse ne jemi vetëm. Ka vende si Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duhet të na ndihmojnë. Turqia tha se do të ndihmojë, por ne nuk e dimë nëse do të bëjë diçka. Ne mendojmë se do mundet, por kush e di. Unë nuk mund të them asgjë. Nëse vendet e tjera na ndihmojnë, gjithçka do të jetë mirë. Kështu mendojmë ne. Megjithatë, ne mund të kërkojmë diçka, por gjërat mund të shkojnë ndryshe”.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, vizitoi qytetin-port strategjik ukrainas të Odesës në Detin e Zi më 9 maj. Pranë depozitave, zyrtari nga Brukseli zhvilloi bisedime me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal mbi masat e mundshme për të zhbllokuar portet e Ukrainës për eksportet e grurit. Nuk munguan as momentet e panikut, pasi një raketë goditi qytetin ku po qëndronte Michel në Ditën e Europës. Ndërkohë, bllokada ruse e porteve të Ukrainës në Detin e Zi i detyroi eksportuesit e grurit të kërkonin alternativa të tjera transporti.

Kreu i Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, David Beasley, i bëri apel Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të lejojë eksportin e drithit të magazinuar në portet e Ukrainës. Ky dikaster i OKB-së, nga i cili varen jetët e 125 milionë njerëzve të varfër në mbarë globin, e blen gjysmën e grurit nga Ukraina: “Është absolutisht thelbësore që ne të lejojmë që këto porte të hapen, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Bëhet fjalë për më të varfërit e të varfërve në mbarë botën që janë në prag të urisë ndërsa flasim. Kështu që, unë pyes Presidentin Putin: nëse keni vërtet zemër, ju lutemi hapni këto porte”.

E shtyrë në emergjencë nga bllokimi i porteve detare të Ukrainës nga pushtuesit rusë, Rumania fqinje u ndesh me kohën në maj për të lëvizur grurin ukrainas në tregjet globale, përpara se korrja e ardhshme të haste pengesa.

Situata e krijuar vendosi mbarë globin në alarm.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror të përvitshëm në Davos, më 24 maj, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se Rusia po përdor furnizimet ushqimore si një armë me pasoja globale, duke vepruar në të njëjtën mënyrë si në sektorin e energjisë: “Ne jemi dëshmitarë se si Rusia po i kthen në armë furnizimet e saj energjetike. Dhe me të vërtetë kjo ka pasoja globale. Fatkeqësisht, ne po shohim të njëjtin model që shfaqet edhe në sigurinë ushqimore”.

Këto akuza kaluan nga distanca në ballafaqim të drejtpërdrejtë. Debatet me tone të ashpra dhe akuza të forta në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara bënë që ambasadori rus, Vassily Nebenzia, të lërë sallën. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se Moska po i përdor furnizimet ushqimore si “raketë të fshehtë” kundër botës së zhvilluar, duke detyruar njerëzit të futen në varfëri. Zyrtari i Brukselit shtoi se Rusia është përgjegjëse e vetme për këtë krizë dhe rritje të çmimeve në mbarë botën, duke saktësuar se ka parë vetë me sytë e tij miliona ton mallra të bllokuara në portin e Odesës: “Janë tanket, bombat dhe minat e Rusisë që po ndalojnë Ukrainën në të mbjella dhe të korra. Kremlini po shënjestron magazinat e grurit dhe po vjedh grurë në Ukrainë, ndërsa fajin po ua hedh të tjerëve”.

Problemet në zinxhiret e furnizimeve nisën të ndiheshin dhe më tej në botë. Vendet më të varfëra po e përjetojnë më tepër këtë krizë. Përpara muajit të shenjtë të Ramazanit, disa banorë në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, në rajonin e MENA siç njihet ndryshe, kishin frikë se nuk do të ishin në gjendje të përballonin të njëjtat vakte, pasi çmimet globale të ushqimeve u rritën për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndikimi i konfliktit u ndje shpejt nga popullsitë tashmë të cenueshme në rajon, si ajo e Libanit, ku 80% jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas Human Rights Watch. Më goditëse ishte edhe në Palestinë.

Walid al-Efrangi, menaxher i një furre buke, tha: “Kemi frikë nga rritja e çmimeve, veçanërisht për thesin me miell. Kjo do të ishte një krizë e madhe sidomos për pronarët e furrave, po përballemi me humbje dhe askush nuk po na kompenson dhe nuk mund ta rrisim çmimin e bukës, sepse njerëzit në Gaza janë përballur me bllokadë dhe rrethana të vështira”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha më 11 qershor se Rusia po bllokonte portet në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke ndaluar eksportet e ushqimit ukrainas nga tregu botëror: “Nëse për shkak të bllokadave ruse, ne nuk jemi në gjendje të eksportojmë ushqimet tona, të cilat mungojnë kaq shumë në tregjet globale, bota do të përballet me një krizë akute dhe të rëndë ushqimore me mungesa të mëdha në shumë vende të Azisë dhe Afrikës. Mungesa e produkteve ushqimore do të çojë në mënyrë të pashmangshme në kaos politik, që mund të rezultojë në rënien e shumë qeverive dhe rrëzimin e shumë politikanëve. Dhe tashmë mund ta shihni këtë kërcënim duke u afruar vetëm duke parë çmimet në rritje të produkteve bazë në tregjet botërore dhe në disa vende. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Rusisë”.

Presidenti i Senegalit dhe kryetari i Bashkimit Afrikan, Macky Sall, tha se Presidenti rus, Vladimir Putin, i premtoi se më 3 qershor do t’i mundësonte eksportin e grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit që po godiste veçanërisht Afrikën: “Të mërkurën në mëngjes fola me Këshillin Europian, në fakt të martën, dhe u thashë: po, ka luftë, krizë, por ka edhe sanksione. Ne duhet të punojmë së bashku për zgjidhjen e këtyre dy problemeve dhe sigurohuni që gjithçka në lidhje me ushqimin, furnizimet me drithëra të jetë jashtë sanksioneve”.

Presidenti Putin tentoi të ishte më joshës për më të prekurit: “Vendi ynë ka qenë gjithmonë në anën e Afrikës, gjithmonë e ka mbështetur Afrikën në betejën e saj kundër kolonializmit”.

Ambasada e Ukrainës në Bejrut dononcoi më 2 qershor duke sinjalizuar se Rusia i dërgoi aleatit të saj Sirisë rreth 100 mijë ton grurë të vjedhur nga Ukraina që nga nisja e luftës. Në një deklaratë për Reuters, ambasada tha se dërgesat përfshinin një në bordin e Matros Pozynich, një anije me flamur rus e cila supozohet se u ankorua në portin kryesor detar të Sirisë Latakia, në fund të majit.

Të dhënat nga kompania që analizon tregjet, Refinitiv, treguan se Matros Pozynich ngarkonte grurin në portin e Sevastopolit në Krimenë e aneksuar nga Rusia në 2014, me datën e nisjes 19 maj dhe vendndodhjen e shkarkimit të dhënë si Siri.

Imazhet satelitore nga Planet Labs PBC më 29 maj treguan të njëjtën anije të ankoruar në Latakia.

Gjatë një takimi me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, më 8 qershor, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se barra i takon Ukrainës për të zgjidhur problemin e rifillimit të dërgesave të grurit, duke çminuar portet e saj. Cavusoglu më vonë detajoi një plan të OKB-së për të krijuar një korridor detar nga Ukraina për eksportet e grurit, duke thënë se rrugë të sigurta mund të formohen pa pasur nevojë të pastrohen minat rreth porteve të Ukrainës.

Në një konventë të sindikatave në Filadelfia më 14 qershor, Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se kapanone të përkohshme do të ndërtoheshin përgjatë kufirit me Ukrainën, duke përfshirë Poloninë, në një përpjekje për të ndihmuar në eksportimin e më shumë drithërave dhe për të adresuar një krizë globale ushqimore në rritje. Biden konfirmoi se po punonte me vende të tjera europiane për të zhbllokuar grurin dhe për ta sjellë atë në treg për të ulur çmimet e ushqimeve: “Ajo që ka bërë lufta e Putinit nuk është vetëm përpjekje për të zhdukur kulturën e ukrainasve, për të vrarë njerëzit dhe për të kryer krime të panumërta lufte, por ai gjithashtu ka bllokuar grurin, mijëra tonë drithë që janë mbyllur në ato kapanone gati për t’u eksportuar, por nuk mund të dalin përmes Detit të Zi, sepse do të shpërthejë në ujë. Pra, ne jemi duke punuar në një plan për ta nxjerrë atë përmes vendeve të tjera me hekurudhë. Por, gjejeni çfarë? Ukraina ka një sistem siç ka Rusia, me shina hekurudhore që janë ndryshe nga ato të pjesës tjetër në Europë. Pra, ne do të ndërtojmë kapanone të përkohshme në kufijtë e Ukrainës, përfshirë Poloninë. Kështu që ne mund të transferojmë drithin nga ato makina në ato kapanone në makina në Europë dhe ta nxjerrim atë në oqean dhe ta çojmë nëpër botë”.

Presidenti rus Vladimir Putin u vendos menjëherë në mbrojtje duke pretenduar se Rusia nuk ishte fajtore për rritjen e çmimeve në tregun global të grurit. Gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, më 17 qershor, Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara se krijuan krizën duke shtypur para dhe “rrëmbyer” ushqime në tregjet globale. Presidenti rus tha se do të nxiste eksportet e drithit dhe fertilizuesve: “Do të theksoj edhe një herë: problemi nuk u ngrit sot, madje as në tre muajt e fundit. Rusia nuk është absolutisht fajtore për këtë, ndryshe nga sa thonë tani disa demagogë, duke u përpjekur të fajësojnë vendin tonë për çdo gjë që i ndodh ekonomisë së botës. Sigurisht, mund të jetë mirë për ne të dëgjojmë se ne jemi ky vend i madh dhe i gjithëfuqishëm. Ne po sjellim inflacion të lartë në Perëndim, SHBA dhe Europë, duke bërë diçka tjetër dhe të gjithë po goditen. Mund të ishte mirë për ne ta ndjenim atë fuqi, por nuk është ajo që ndodh në të vërtetë”.

Rusia dhe Turqia ranë dakord të ndjekin bisedimet për një korridor potencial të sigurt ujor në Detin e Zi për të eksportuar grurë nga Ukraina. Kjo erdhi pas diskutimeve në Moskë, thanë ministritë e Mbrojtjes ruse dhe turke më 22 qershor. Në një deklaratë, Ankaraja zyrtare konfirmoi se një anije mallrash pa ngarkesë, Azov Concord, ishte larguar e sigurt nga Mariupoli si rezultat i bisedimeve. Ajo ishte anija e parë e huaj që u largua nga porti që kur Rusia nisi luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Dhe ndërkohë, magazinat filluan të mbusheshin prapë. Fermerët në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, nisën korrjen e grurit për vitin 2022 duke përfituar nga kushtet e favorshme të motit. Këtë e konfirmuan vetë zyrtarët e qytetit port.

Udhëheqësit e G7 po punojnë për të gjetur një mënyrë për ta lejuar Ukrainën të eksportojë grurin e saj, në tentativë për të zbutur krizën globale dhe rikthyer normalitetin në tregje: “Ne jemi duke punuar për këtë. Të gjithë po angazhohemi”.

Presidenti rus Vladimir Putin, më 30 qershor, mohoi se Moska po bllokonte eksportet e drithit ukrainas. Madje, do të vinte në dyshim ndikimin e mallrave bujqësore të munguara të Ukrainës në tregun botëror të ushqimit: “Ndoshta kjo është e rëndësishme, por ne nuk po e pengojmë eksportin e grurit ukrainas”.

Turqia mund të rieksportojë produkte drithërash si gruri, tërshëra dhe elbi nga Deti i Zi në vendet në nevojë pas bisedimeve me Rusinë dhe Ukrainën. Njoftimin e bëri vetë presidenti Tajip Erdogan më 1 korrik: “Kolegët tanë tani po punojnë për një marrëveshje për takime me zotin Zelensky dhe zotin Putin dhe pas këtyre marrëveshjeve, unë do të takohem me të dy dhe ne mund të dërgojmë grurë, elb, tërshërë dhe vaj luledielli drejt të gjitha vendeve në nevojë, duke kryer një rieksportim nëpërmjet nesh”.

Një farë shprese lindi më 13 korrik, kur në Stamboll, Ukraina dhe Rusia bënë progres për zhbllokimin e eksporteve, në një takim të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara.

“Ne po bëjmë vërtet një përpjekje të konsiderueshme për të rifilluar furnizimin me ushqime në tregun botëror. Dhe i jam mirënjohës Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë për përpjekjet e tyre përkatëse. Suksesi i kësaj historie është i domosdoshëm jo vetëm për shtetin tonë, por pa ekzagjerim për të gjithë botën. Nëse mund të hiqet kërcënimi rus ndaj lundrimit në Detin e Zi, kjo do të lehtësonte krizën ushqimore globale. Delegacioni ukrainas më ka raportuar se ka progres. Në ditët në vijim do të biem dakord për detajet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së”, tha Zelensky.

Turqia më vonë konfirmoi se një draft-marrëveshje është arritur mes Kievit dhe Moskës në bisedimet për atë që u konsiderua “rruga e sigurtë për bukën e botës”. Të njëjtin njoftim e mbështeti dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, tha: “Në një botë të errësuar nga kriza globale, sot më në fund kemi një rreze shprese. Një rreze shprese për të lehtësuar vuajtjet njerëzore dhe për të lehtësuar urinë në mbarë botën. Një rreze shprese për të mbështetur vendet në zhvillim dhe njerëzit më të cenueshëm. Një rreze shprese për të sjellë një masë të stabilitetit shumë të nevojshëm në sistemin global të ushqimit”.

Por, atë rreze të vogël shprese e mbuluan sërish retë e zeza. Në takimin e shumëpritur mes Putin dhe Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Iran, duhej të merrej vendimi që do ndikonte globin në mënyrë pozitive, por nuk ndodhi kështu. Rrugës së grurit nuk iu hoqën pengesat, por iu vendosën të tjera, teksa dhjetra anije të huaja mallrash presin në portet e Ukrainës për tu mbushur.

“Rusia është e gatshme të bashkëpunojë në eksportin e grurit ukrainas, por dëshiron që të hiqen të gjitha kufizimet në eksportet e grurit rus”, tha Putin.

Megjithatë, “pishtari i shpresës” për miliona të varfër në mbarë botën do të rindizej më 22 korrik. Ukraina dhe Rusia nënshkruan marrëveshje për rikthimin e eksporteve të grurit përmes Detit të Zi, duke shënuar kështu suksesin e parë diplomatik që prej nisjes së luftës. Pakti u firmos në Stamboll me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Marrëveshja, e cila u desh dy muaj për t’u arritur, do të zgjasë për 120 ditë, me një qendër koordinimi dhe monitorimi që do të krijohet në Stamboll, me staf nga zyrtarë të OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas. Mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord. Sipas planit, Ukraina do të organizojë anijet e grurit si në hyrje ashtu edhe në dalje në 3 porte të saj në Detin e Zi, Rusia pranon respektimin e armëpushimit gjatë lundrimit të anijeve të mallrave, ndërsa Turqia angazhohet si palë vëzhguese bashkë me Kombet e Bashkuara për të inspektuar anijet duke adresuar dyshimet e Moskës për trafik armësh. Ujdia gjithashtu do të lehtësojë eksportet e grurit dhe fertilizuesve të Rusisë përmes Detit të Zi.

Me vendosjen e këtij korridori të sigurtë, miliona ton grurë, elb, vaj dhe produkte të tjera bujqësore, që kishin ngecur në magazinat ukrainase, tani do të mund eksportohen. Pjesa më e madhe e tyre do të shkojë për botën në zhvillim, për të furnizuar disa nga njerëzit më të varfër në Tokë.

Komento: