Kos: Të gjejmë rrugë të tjera nëse Kosova dhe Serbia s’pajtohen

23:38 | 08 November 2024
kos:-te-gjejme-rruge-te-tjera-nese-kosova-dhe-serbia-s’pajtohen

Marta Kos, ishte shumë e qartë kur i përmendi Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të barabarta, edhe kur e kundërshtoi çdo ujdi të tyre për këmbim territoresh.

Eurodeputetja sllovene Kos, që pritet të jetë Komisionere për Zgjerim e BE-së, para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian paralajmëroi diçka pa dhënë detaje.

“Ne duhet të lëvizim përpara. Formalisht është bërë shumë. Ne kemi një ujdi për rrugën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në raportin e progresit thuhet se të dyja duhet të zbatojnë pa pyetje shtesë. Në një takim paraprak unë kam shpjeguar se nëse gjërat nuk po ecin, ne duhet të gjejmë rrugë të reja”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që e ndoqi seancën, thotë se është ndarë i kënaqur më atë çka dëgjoi nga Kos.

“Çka mendon ajo është se dialogu qartazi nuk po prodhon rezultatet që i duam dhe na duhen, pra nëse pritni diçka ndryshe dhe më shumë, atëherë ju duhet ta shihni procesin dhe ndoshta ta ridizajnosh atë dhe të përpiqesh që të zbulon rrugën apo instrumentet e tjera që të arrihen rezultatet e kërkuara”, është shprehur ai, raporton Klan Kosova.

 

Komento: