Kosova ballafaqohet me Serbinë për çështjet financiare, Hoti: Ky problem zgjidhet vetëm në Arbitrazh

15:58 | 08 December 2020

Të enjten Kosova ballafaqohet me Serbinë për çështjet financiare, Hoti thotë se ky problem zgjidhet vetëm në Arbitrazh.

Këtë të enjte në Bruksel do të ballafaqohen ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë. Kësaj radhe janë çështjet financiare ato që do të bëjnë bashkë ekipet e dy shteteve në një tryezë dialogu.

Për këtë takim kanë folur edhe zyrtarë të BE-së, teksa kryeministri Hoti vlerësoi se çështja e obligimeve financiare në mes dy shteteve është shumë e komplikuar dhe se mund të zgjidhet vetëm në Arbitrazh.

10 dhjetori është data e radhës e ballafaqimit të Kosovës e Serbisë në Bruksel. Çështja e obligimeve financiare në mes të dy vendeve është tema e diskutimit të së enjtes në kryeqendrën evropiane, edhe pse nga zyrtarë të BE-së nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se takimi do të mbahet të enjten në nivel ekspertësh por pa dhënë detaje për temën e diskutimit.

“Më lejoni të konfirmoj se takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh do të mbahet më 10 dhjetor në Bruksel”, ka thënë Stano.

Në ndërkohë për këtë takim janë deklaruar edhe nga Zyra e Kryeministrit. Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku ka thënë se ekipi të enjten do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror për dialogun Skender Hyseni.

“Takimi i radhës në Bruksel(10.12.2020) do të zhvillohet në nivel të ekspertëve, ekipi do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni. Do të vazhdojë diskutimi nga takimi i fundit për zgjidhjen e pretendimeve financiare”, ka thënë ajo në një përgjigje me shkrim për gazetën.

Për takimin e së enjtes, sot gjatë ditës është deklaruar edhe kryeministri Avdullah Hoti. Në një konferencë ai tha se dialogu është duke vazhduar mbi parimet e vendosura nga Kosova në fillim të dialogut.

“Dialogu është duke u zhvilluar në përputhje me parimet që ne i kemi vendosur në fillim të procesit qysh në korrik. Pasnesër do të mbahet një takim në nivel të koordinatorëve të dialogut për tema që janë shumë specifike. Atë që unë e kam thënë vazhdimisht po e them edhe sot. Ky është një proces i kufizuar në kohë dhe kjo kohë është çështje muajsh”, ka deklaruar Hoti.

Hoti është shprehur optimist se dialogu do të përfundoj brenda disa muajsh.

“Unë besoj që brenda disa muajsh do të arrijmë në fund të këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, ose do të konkludojmë se nuk po merremi vesh për një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke”, ka thënë ai.

Ndërsa për sa i përket temës së takimit të së enjtes, kryeministri theksoi se çështja e obligimeve financiare në mes të dy shteteve është e komplikuar.

“Çështja e obligimeve financiare në mes të dy vendeve është një çështje mjaft e komplikuar dhe kjo çështje do të vendoset vetëm nga Gjykata Ndërkombëtare nga Arbitrazhi Ndërkombëtar. Tani po dakordohemi për parimet që do t`i ndjekim në zgjedhjen e këtyre çështjeve”, ka thënë më tutje ai.

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Komento: