Deputetët e Kuvendit të Kosovës me votën e tyre unanime Forcës së Sigurisë së Kosovës ia kanë ngarkuar detyrat e ushtrisë, si të gjitha ushtrive të shteteve të pavarura e sovrane.
Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, është votuar sot në lexim të dytë nga 107 deputetë. Të gjitha votat kanë qenë pro, ndërsa asnjë deputet kundër.
Ky projektligj sot është votuar me rekomandimet e Komisionit për Punë të Brendshme, pasi në tetor projektligjet për ushtrinë u votuan në lexim të parë.
Deputetët e Kuvendit sot po e votojnë përfundimisht krijimin e ushtrisë sipas ligjit, në pamundësi që transformimi i forcave të sigurisë të bëhet me ndryshime kushtetuese. Kjo sepse përfaqësuesit serbë në Kuvend kundërshtojnë kategorikisht formimin e ushtrisë.