Kosova është ankuar në OKB pasi shefi i UNMIKUT Zahir Tanin ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim është shqyrtuar raporti i punës së UNMIK’ut dhe misionet tjera ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në stabilizimin e gjendjes në Kosovë. Për këtë takim kanë reaguar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke thënë se është e pakuptueshme se si Tanin është takuar me Vuçiqin kur dihet se Serbia ka synime për destabilitet në rajon
Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj, përmes një statusi në Facebook ka thënë Serbia nuk është adresa ku Tanin do të duhej të kërkonte takime sqaruese.
“Nuk mund ta kuptojmë se si në këto rrethana, z. Tanin, ka mundur të vizitojë Serbinë dhe ta takoj Vuçiqin, kur dihet botërisht se me deklarata, Serbia nuk fsheh synimet e saj për destabilitet në rajon. Janë vetëm pak adresa zyrtare, ku z.Tanin do të duhej me vetiniciativë të kërkonte takime sqarues, për të krijuar distancë të përgjegjësisë së misionit që ai drejton nga skandali i punonjësit të tyre”, ka shkruar Zyberaj.
Ai ka shtuar se janë institucionet e Republikës së Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Kosovë. Serbia dhe Beogradi janë adresë e gabuar.
Zyberaj thekson se Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka kërkuar përgjegjësi nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së dhe vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit se si ky mision ka vepruar kundër interesave të Kosovës.
“Tashmë z.Tanin ka dështuar ta bëjë distancim, andaj ne (zvkryeministri Pacolli) i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe vendeve anëtare të KS-OKB për të kërkuar përgjegjësi se si ky mision vepron kundër interesave të Kosovës dhe sigurisë kombëtare dhe në funksion të krimit dhe kontrabandës. Deklaratat e përfaqësuesve të këtij misioni në ditët e fundit kanë qenë në mungesë të respektit ndaj institucioneve të Kosovës dhe ne do të marrim masa”, shkruan tutje Zyberaj.