Kosova dërgon mostra në Holandë për rastin e dyshuar me linë e majmunit, gjendja e pacientit është stabile

13:57 | 04 Qershor 2022

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të shtunën se ka dërguar mostra në Holandë për një rast të dyshuar me linë e majmunit.

Sipas njoftimit të MSH-së, më 3 qershor në Klinikën Infektive është raportuar për një rast të dyshimtë me linë e majmunit.

Pacienti është mashkull, i moshës 69 vjeçare nga komuna e Dragashit.

I njëjti për momentin është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK, ndërsa gjendja e tij është stabile.

“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit. Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, njofton MSH.

Sipas Ministrisë, po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.

Lia e majmunëve është një virus që shkakton simptoma të temperaturës dhe puçrra të kuqe.

Deri më tani, 18 shtete në të gjithë botën kanë raportuar rastet me linë e majmunëve. Ky numër pritet të rritet edhe më tej, por ekspertët thonë se rreziku i përgjithshëm për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët.

Simptomat fillestare të lisë së majmunit janë tipike të ngjashme me gripin, të tilla si ethe, të dridhura, rraskapitje, dhimbje koke dhe dobësim të muskujve.

Sa i përket rajonit, një rast deri më tani është konfirmuar vetëm në Slloveni.

Ndërkohë Belgjika ka informuar se do të vendosë karantinën e detyrueshme për personat të cilët janë infektuar me linë e majmunëve, duke u bërë shteti i parë që ndërmerr këtë hap.

Komento: