Kosova dhe Ajova drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe lokal

22:20 | 22 Shkurt 2026
kosova-dhe-ajova-drejt-zgjerimit-te-bashkepunimit-institucional-dhe-lokal

Gjatë një vizite zyrtare në Shtetin e Ajovas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar një sërë takimesh me udhëheqës të institucioneve shtetërore dhe përfaqësues të pushtetit lokal, me fokus thellimin e partneritetit ndërmjet ndërmjet dy vendeve.

Në takimin me Presidenten e Senatit të Ajovas, Amy Sinclair, u rikonfirmua partneriteti i gjatë dhe i qëndrueshëm mes dy vendeve.

Gjatë bisedës u theksua bashkëpunimi strategjik në fushën e sigurisë, si dhe nevoja për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, akademike dhe në sektorin e teknologjisë informative.

Zëvendësministri Ahmeti u takua edhe me zëvendës sekretaren e Shtetit të Ajovas, Christy Johnson, me të cilën diskutoi për avancimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e mekanizmave konkretë të koordinimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.

Në këtë takim u vu theksi te shkëmbimi i përvojave në administratën publike, bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.

Ndërkaq, në takimin me kryetaren e Komunës së Johnston, Paula Dierenfeld, u diskutua dimensioni lokal i partneritetit.

U vlerësua fakti që aktualisht nëntë komuna nga Kosova janë të binjakëzuara me komuna në Ajova, si dëshmi e lidhjeve të fuqishme ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve.

Palët shprehën gatishmëri për zgjerimin e këtij bashkëpunimi përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore dhe shkëmbimeve profesionale.

Në kuadër të vizitës, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takime edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Ajova.

U theksua roli i tyre si urë lidhëse mes dy vendeve, si dhe kontributi i vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, akademike dhe kulturore dhe në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Komento: