
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Qeveria tha se marrëveshja synon “forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të të dyja vendeve në sigurimin e provave, zhvillimin e procedurave penale dhe luftimin e kriminalitetit përtej kufijve shtetërorë”.
“Kjo Marrëveshje forcon kuadrin ligjor të bashkëpunimit mes dy shteteve tona në çështjet penale, dhe rregullon procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit transnacional”, tha ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Përmes kësaj Marrëveshje, Qeveria tha se do të krijohen rregulla të përbashkëta për shkëmbimin e provave, kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale, si dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë juridike, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e autoriteteve të të dy shteteve dhe kushtet për zbatimin ligjor.