
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim anëtarin e Dhomës së Lordëve, Lord Cromwell, dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.
Lord Cromwell dhe Martin Vickers uruan popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, të shënuar dje, si dhe e përgëzuan Kurtin për mandatin e tij të ri qeverisës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.
“Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se Kurti po ashtu theksoi prioritetet e Qeverisë, veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje.