A do të përballen Kosova e Serbia për taksën në arbitrazh?
Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar mundësinë që Kosovën ta dërgojë në arbitrazh për shkak se, sipas saj, me vënien e taksës prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, e njohur si CEFTA. Por, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, thotë se është e gatshme për t’u mbrojtur në rast se kjo çështje arrin në arbitrazh.
Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për mundësinë që Serbia ta dërgojë në arbitrazh vendimin për taksën prej 100 për qind për importin e mallrave të saj.
“Qeveria e Kosovës jo vetëm që është e vetëdijshme, por është edhe e përgatitur në mbrojte, sepse vendimi buron edhe nga marrëveshja e CEFTA-s, do të thotë, është konsultuar marrëveshja e CEFTA-s, por është marrë edhe për çështje të sigurisë nacionale, si dhe në mbrojtje të prodhimit vendor. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Haradinaj, janë të bindur që arbitrazhin eventual do ta fitojë Kosova. Vetë fakti që Serbia eventualisht mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e arbitrazhit, do të thotë që ajo e pranon ekzistencën e entitetit juridik-politik të pavarur, të quajtur Republika e Kosovës”, theksoi Matoshi.