Kosova dhe Serbia nga sot pa dokumente për hyrje/dalje, autoritetet thonë se marrëveshja është duke u zbatuar

08:53 | 01 Shtator 2022

Kanë nisur të zbatohen dy vendimet e Qeverisë së Kosovës – ai për reciprocitetin me Serbinë sa i përket dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të dy vendeve kur ata hyjnë në njërin dhe vendin tjetër, dhe tjetri që ndalon përdorimin e targave serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës

.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbrëmë ka vizituar Bërnjakun për të shikuar se a është duke u respektuar marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë.

Sveçla ka thënë se zyrtarisht ka filluar zbatimi i reciprocitetit.

“Tashmë konfirmoj se këtu në Bërnjak, ka filluar zbatimi i reciprocitetit, pa probleme, është ndërprerë lëshimi i fletë hyrje daljeve mes Kosovës dhe Serbisë. E njëjta ka ndodhë edhe në vendkalimet kufitare”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.

Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.

Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.

Sot po ashtu ka hyrë në fuqi edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Komento: