Kosova dhe Shqipëria dakordohen për ndryshim të trasesë së hekurudhës Durrës-Prishtinë

18:48 | 10 Janar 2024
kosova-dhe-shqiperia-dakordohen-per-ndryshim-te-trasese-se-hekurudhes-durres-prishtine

Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka njoftuar se tashmë ka një trase përfundimtare të hekurudhës që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

“Lajm shumë i mirë që tashmë përfundimisht kemi një dakordim të dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidhë Kosovën me Shqipërinë”, ka njoftuar Aliu në Facebook.

Ai ka thënë se tashmë punimet do të fillojnë në mënyrë intensive për realizimin e projektit.

“Në përputhje edhe me zotimet tona pas procesit të nisur të fizibilitetit, do të fillojnë punimet intensive në drejtim të realizimit të njërit prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që do të lidhë jo vetëm qytetarët, por edhe ekonominë e vendeve tona dhe më gjerë”.

Ndryshe sot kryeministri shqiptar Edi Rama u ndal te hekurudha Shqipëri–Kosovë.

Me dakordësinë dhe të palës kosovare, Rama tha se do ketë një ndryshim të vijës, që do kalojë nga Shkodra, Gjakova dhe në fund në Prishtinë.

“Kemi komunikuar dhe me Kosovën për ecurinë e projektit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Do ketë një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës”, tha Rama

Komento: