“Kosova do të zbrazet pas liberalizimit të vizave”

23:12 | 21 Prill 2023

Parlamenti Evropian, të martën, ia dha dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pas më shumë se 12 vjet pritje.

Heqja e regjimit të vizave nënkupton lëvizje të lirë, dhe ndonëse nuk jep mundësinë për të punuar jashtë shtetit, ekspertët konsiderojnë se Kosova mund të zbrazet pas liberalizimit.

Profesori universitar, Bashkim Mustafa, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka investuar aq sa duhet në tregun e punës.

Përmes disa statistikave, Mustafa bëri një krahasim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ku rezulton se me qindra mijëra njerëz kanë ikur nga vendi pas liberalizimit të vizave, në kërkim të një pune më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Qeveria e vendit nuk e ka trajtuar asnjëherë me seriozitet tregun e punës në vend, unë kam nxjerr disa statistika se si ka ndikuar liberalizimi në tregun e punës si në Maqedonin e Veriut dhe Shqipëri. Sipas INSTAT-it brenda 10 viteve popullësia në Shqipëri është zvogëluar për 7.5% ose 42,000. Brenda 10 viteve mbi 200.000 banorë e kanë zgjedhur statutin e tyre të punës në BE. Njëjtë pothuajse ka ndodhur edhe në Maqedoninë e Veriut ku për një dekadë mbi 230.000 persona kanë bërë zgjidhje të përhershme dhe kanë migruar në BE. Duke u nisur nga këto statistika dhe premisat e zhgënjimit që qytetarët e tonë kanë mbi tregun e punës në vend lëvizjet e kosovarëve do të jenë të njejta apo edhe më shumë sesa këto të vendeve fqinjë”, ka deklaruar profesori Bashkim Mustafa, në T7.

Edhe sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tregu i punës do të pësojë tronditje të mëdha pas janarit të vitit të ardhshëm, kur edhe hyn në funksion ligji për liberalizim të vizave.

Ai ka bërë thirrje që sektori privat t’i përmirësojë kushtet e punës, në mënyrë që ikja e qytetarëve të minimizohet.

“Tregu i punës do të çrregullohet prej kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh se Gjermania si shteti më i madh kur kosovarët migrojnë nga fundi i këtij viti do të liberalizoj në masë të madhe mundësin e punësimit atje dhe kjo do të na rrezikojë në masë të madhe ikjen e punëtorëve tonë. Nëse ne, kryesisht sektori privat, nuk arrin që të përmirësojë kushtet e punës deri në fund të këtij viti atëherë vërtet tregu i punës do pësojë tronditje të mëdha”, ka shtuar i pari i AKB-së, Agim Shahini.

Dokumenti zyrtar që ia mundëson Kosovës lëvizjen e lirë u nënshkrua të mërkurën, në Strasburg të Francës.

Kosova ka kohë që kishte plotësuar kushtet për liberalizim, mirëpo procesi u zvarrit për disa vite.

Komento: