Kosova ‘dorëzohet’ për anëtarësim në UNESCO

09:08 | 09 Dhjetor 2018

Institucionet e Kosovës s’kanë plan konkret për anëtarësim në UNESCO, përderisa fajësojnë Serbinë.

Para tri vitesh, saktësisht më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e UNESCO-s për mungesë të tri votave.

Mundësia eventuale e Kosovës për anëtarësim në UNESCO do të jetë vetëm në vitin 2019, kur edhe pritet Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep tha se për lobimin e Kosovës duhet koordinim ndërmjet institucioneve, por që nuk përmendi nëse do të aplikohet për anëtarësim vitin e ardhshëm dhe cili është plani për këtë çështje.

“Vazhdimisht po dalin disa shtete të cilat mund të ndikohen nga ndikimet qoftë në krahun rus apo edhe nga ndikimet materiale, mirëpo kjo nuk do ta ndalë apo nuk do hezitojnë që institucionet tona të angazhohen dhe në çdo rast që do të na u prezantohet nevoja për t’u anëtarësuar në UNESCO, që ta shfrytëzojmë sepse e shteti i Republikës së Kosovës mund të arrijë suksese vetëm në përpjekjen e saj të vazhdueshme për të qenë pjesë e UNESCO-s”.

“Në këtë drejtim kërkohet angazhim i madh nga Qeveria e Kosovës, nga MPJ nga MKRS, duhet të jemi më kompakt ndaj kërkesave tona për anëtarësim”.

Sipas Hotit anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është bërë një çështje problematike, pas angazhimit të Serbisë kundër Kosovës.

Por ai thotë se pas taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për shtetin serb, shteti fqinjë e ka marrë seriozisht Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Ju jeni dëshmitarë që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është bërë një çështje më një problematikë që është duke u përballuar në raport me angazhimet e shteteve fqinje të Serbisë që është duke na shkaktuar probleme të jashtëzakonshme”.

“Mendoj që Serbia për herë të parë pas taksës së Kosovës prej 100% e ka marrë seriozisht sjelljen e Kosovës si shtet, ky është vetëm fillimi, Serbia do kuptojë çdo ditë e më shumë se Kosova është një shtet shumë serioz”.

Madje Hoti tha se UNESCO nuk është e vetëdijshme për rëndësinë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Komento: