Kosova dyndet drejt plazheve shqiptare, 36 mijë persona kaluan Morinën në 24 orë

17:04 | 26 Gusht 2023
kosova-dyndet-drejt-plazheve-shqiptare,-36-mije-persona-kaluan-morinen-ne-24-ore

Qytetarët nga Kosova dynden drejt Shqipërisë për pushime. Ata kanë zgjedhur bregdetin shqiptar edhe në këto ditë të fundit të muajit gusht.

Kjo ka shkaktuar fluks lëvizjesh në Rrugën e Kombit mëngjesin e kësaj të shtune. Kolona e automjeteve arriti deri në 6 km, ndërsa drejtuesve të mjeteve iu desh deri në 30 minuta për të kaluar.

Situata ishte më problematike në urën mbi lumin Drin. Aty herë pas here trafiku u bllokua përkohësisht.

Sipas të dhënave nga Dogana e Morinës, vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në vendin tonë rreth 36 mijë qytetarë nga Kosova me 10,200 mjete.

Në këtë doganë policia operon me kalimin e udhëtarëve pa kontroll, bazuar në marrëveshjen e dy qeverive me qëllim shmangien e radhëve.

Qytetarët nga Kosova e zgjedhin Shqipërinë veçanërisht për bregdetin, ndërsa vizitojnë edhe zona të tjera turistike.

Sipas të dhënave nga autoritetet, kosovarët janë të parët në listën e personave që frekuentojnë vendin tonë gjatë sezonit të verës. /tvklan.al

Komento: