
Po bëhen gati dy vite që Kosova ende është pa kryeprokuror.
Dekretimi i kandidatit me më së shumti pikë, Blerim Isufaj, po refuzohet kategorikisht nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo për shkak se,sipas saj, janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit Këshilli Prokuroial i Kosovës (KPK) ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.
Megjithatë, këta të fundit nuk hoqën dorë nga kandidati Blerim Isufaj.
Pas refuzimit nga ana e presidentes, kësaj të fundit iu propozua emri i Blerim Isufajt edhe për herë të dytë..
E deri më tani nuk ka lëvizur asgjë sa i përket kësaj çështjeje.
Mazllum Baraliu, njohësi i çështjeve juridike, për Front Online ka thënë që kjo këmbëngulësi e KPK-së duhet të ndryshojë.
“Aq sa dimë ne nuk ka një reagim të shpejt, të menjëhershëm, që të shpallet konkursi dhe të përvijohet procedura në përputhje me ligjet në fuqi për zgjedhjen e një kandidati dhe këmbëngulësia e strukturës prokuroriale në këtë rast të KPK-së që dy tre individë, apo një grup individësh mund të jenë sikur të jenë të pazëvendësueshëm, kjo flet që diçka nuk po funksionon mirë dhe që duhet ndryshuar”, ka thënë ai për Front Online.
Baraliu për Kryeprokurorin e Shtetit: Zgjedhja ka të bëjë me interesat e njëri -tjetrit
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu ka thënë për Front Online se moszgjedhja e emrit të ri për Kryeprokuror të Shtetit ka të bëjë me interesat e njëri- tjetrit.
“Mendoj që janë interesa grupore joformale, kemi të bëjmë më shumë me organizim korporativ që do të thotë grupet e ndryshme të interesit në rrethet e ngushta i përmbushin interesat e njëri- tjetrit, dhe mandej kur është në pyetje zgjedhja dhe emërimi dhe ato nuk vijnë në shprehje është grupacione, dhe kandidatë të cilët i mbrojnë interesat e njëri tjetrit dhe interesat e gjyqësorit, sistemit në përgjithësi të drejtësisë”, ka thënë ai për Front Online.
Përveç kësaj, ai thotë se ka edhe ndikime nga jashtë Kosove.
“Po ashtu ndikimet nga jashtë dhe nga brenda kemi grupet formale dhe jo formale nga Kosova dhe jashtë Kosove që kanë ndikim në këto institucione, e bëjnë si duket efektin e vet që ne të kemi këtë gjendje çfarë e kemi”, u shpreh ai.
Makshana për Blerim Isufajn: Propozimi i njëjtë i KPK-së tregon joprofesionalizëm dhe është humbje kohe
“Përsëritja e sërishme e propozimit të emrit të njëjtë nga KPK përveç që nuk parashihet ligjërisht në të njëjtën kohë është edhe humbje kohe dhe kjo tregon për qasjen joprofesionale të vet Këshillit në raport me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Lavdim Makshana.
Makshana për Front Online ka thënë që KPK duhet të shpallë konkursin që të zgjedhet emri i ri për Kryeprokuror të Shtetit.
Ai tha që emri për këtë pozitë duhet të dalë nga një proces transparent, e i pakontestuar.
“Në këtë situatë, pas njoftimit të Presidentes, KPK duhet të shpallë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit dhe të zhvillojë një proces meritor dhe transparent, nga i cili proces del emri i Kryeprokurorit të ri të Shtetit. Deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, ushtruesi i detyrës ka të gjitha kompetencat të cilat i ka Kryeprokurori i Shtetit. Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme që Prokurori i Shtetit të ketë një Kryeprokuror të emëruar me mandat të rregullt. Mirëpo, përkundër kësaj më e rëndësishme është që emri për Kryeprokurorin e ri të Shtetit të dalë nga një proces që nuk është i kontestuar”, ka thënë ai për Front Online.
Kur KPK-ja pati përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.
Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.
Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

