Kosova hap ambasadë në Portugali

13:09 | 11 Janar 2019

Po vazhdon shtrirja e diplomacisë së Kosovës në gjithë botën.

Republika e Kosovës ka bërë edhe një shtrirje të re diplomatike në Evropë me hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës edhe në një shtet të rëndësishëm në Evropë, i cili është anëtarë i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Republikën portugeze.

Të enjten, me anë të një ceremonie zyrtare nga shteti pritës u akreditua edhe zyrtarisht, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në shtetin portugez, Ylber Kryeziu, i cili i dorëzoi letrat kredenciale, presidentit të Republikës portugeze, Marcelo Rebelo de Sousa.

Me këtë rast, Kryeziu i përcolli presidentit të këtij shteti de Sousa urimet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përkushtimin institucional për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve.

“Republika e Kosovës vendosi të hap për herë të parë Ambasadë në shtetin portugez gjatë vitit të kaluar, veprim ky, që u mirëprit dhe vlerësua lart edhe nga autoritetet e shtetit pritës”, thuhet në njoftim.

Portugalia e kishte njohur Republikën e Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për konsolidimin e shtetit të ri dhe integrimin e tij në Organizatat Ndërkombëtare.

Komento: