Kosova humb rrugën për në BE

10:09 | 30 May 2019

Rruga e humbur e Kosovës për në Bashkimin Evropian.

Kosova po e humb betejën në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, vlerësojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Pas publikimit të Pakos së zgjerimit të Komisionit Evropian, si një prej dokumenteve me të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë në procesin e integrimit në BE, organizatat joqeveritare në Kosovë që përcjellin nga afër procesin integrues, kanë dalë me disa gjetje përmes së cilave i bëjnë fajtore institucionet e Kosovës për ngecjet e theksuara në raportin e Komisionit Evropian.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se raporti i Komisionit Evropian për Kosovën këtë vit konfirmon që institucionet e Kosovës kanë humbur betejën për ta mbajtur agjendën evropiane të gjallë.

Sipas këtij Grupi, gjetjet në raportin e KE-së dëshmojnë se institucionet perspektivën evropiane e kanë shndërruar në mjet për të menaxhuar politikën ditore.

“Përderisa në shumicën e sektorëve raporti vëren që progresi i Kosovës është i papërfillshëm, mesazhet dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës mbesin të njëjtat me vitet e kaluara. Kjo, përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës që me përgjegjshmëri të adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është sinjal që Kosova, përkundër vullnetit të popullit të saj, çdo ditë e më shumë është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në BE”, thekson Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Raporti me shumë të drejtë vazhdon të konstatojë që një Qeveri e mbingarkuar me ministra dhe zëvendësministra po cenojnë kredibilitetin e saj dhe pamundësojnë që ajo të jetë efektive dhe përgjegjshme për të arritur objektivat që janë vënë nga vet Qeveria”, thekson GSJP.

Ndërkaq, Instituti EPIK vlerëson se Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese.

“Është bërë progres i kufizuar në zbatimin e reformave Evropiane, por ky progres ka mbetur nën hijen e vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Tarifa është vendosur në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe frymën e Marrëveshjes Stabilizim Asocimi”, thekson EPIK.

Sa i përket institucioneve të sundimit të ligjit dhe prokurorisë, EPIK rikujton se raporti vë në pah se duhet të ndërmerren masa për të siguruar se këto institucione nuk ndërmarrin veprimet nën ndikimin politik.

“Korrupsioni është i përhapur në gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik. Kredibilitetit i Qeverisë është dëmtuar nga numri i lartë i zëvendës ministrave”, thekson ky Institut.

Po ashtu, EPIK rikujton se Komisioni Evropian ka qortuar Qeverinë edhe për emërimet e personave të gjykuar për krime të luftës dhe korrupsion apo krim të organizuar në pozitat publike, gjë që është në kundërshtim me vlerat evropiane.

Në anën tjetër, Grupi për Studime Juridike e Politike vë thekson edhe në gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilave evidentohet ndikimi politik në procesin e punësimit të zyrtarëve të lartë në administratë, çka thuhet se po pengon edhe procesin e reformave.

“Çfarë është më e rëndësishme, raporti rikonfirmon që gjyqësori dhe prokuroria mbesin të ndikuar nga politika dhe që Kosova mbetet në faza të hershme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përkundrejt përpjekjeve të institucioneve ndërkombëtare, raporti konfirmon që sistemi i drejtësisë mbetet në fazë elementare të zhvillimit dhe që mundësia e tyre për të qenë efektivë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet e vogël”, thekson GSJP.

Kritikave rreth përmbajtjes së raportit të KE-së u është përgjigjur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Në disa raste është pozitiv, ndërsa në raste të tjera ka kritika, shembull si rasti i taksës, por përgjithësisht është raport që përmban suksese dhe kritika ndaj Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Përderisa presidenti, Hashim Thaçi ka deklaruar se BE-ja ia ka mbyllur dyert Kosovës.

Problemet për Kosovën në procesin e gjatë integrues bëhen më të mëdha për faktin se atë nuk e njohin pesë vende anëtare të BE-së.

Të mërkurën, Komisioni Evropian ka publikuar pakon e zgjerimit e cila parasheh që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut marrin rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Pakoja vjetore e zgjerimit përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Kosova, e cila mbetet ende e fundit në procesin integrues, është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, vendim ky që e mbanë atë përgjegjëse për pengimin e tregtisë së lirë, si një prej parimeve kryesore të BE-së.

Pakoja e zgjerimit paraqet dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit. /rel

Komento: