Kosova i mbyll me humbje eliminatoret për “Euro 2024”

22:45 | 21 November 2023

Kosova ka pësuar humbje me rezultat 1-0 ndaj Bjellorusisë në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dardanët” e nisën më mirë ndeshjen duke rrezikuar në disa raste si dhe duke pasur posedimin e topit pothuajse gjatë tërë kohës.

Kosova rastet më të mira për gol i pati me Vojvodën, Muslijën dhe Bytyqin, por që goditjet e tyre u ndalën me sukses nga portieri mysafir.

Mysafirët shënuan gol në minutën e 43-të përmes Dmitri Antilevski, i cili e zuri në befasi portierin Visar Bekaj pasi ai spastroi një top nga zona dhe ishte jashtë vijës së portës.

Në pjesën e dytë Kosova ishte më kërkuese duke u munduar ta gjejë golin e barazimit.

Rasti i parë serioz për Kosovën në 45 minutëshin e dytë erdhi në minutën e 52-të por goditjen e Qëndrim Zybës e priti portieri mysafir. “Dardanët” iu afruan golit edhe në minutën e 60-të me Ilir Krasniqin por ai topi nuk arriti të shkojë në kuadratin e portës.

Kosova pati edhe një rast tjetër me Meriton Korenicën në minutën e 69-të por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.

Lojtarët e Kosovës protestuan për një penallti në minutën e 85-të por i të njëjtit mendim nuk ishte gjyqtari i cili bëri me shenjë për vazhdimin e lojës.

Deri në fishkëllimën e fundit nuk pati më ndonjë rast të mirë shënimi për Kosovën dhe “Dardanët” e mbyllën me humbje ciklin kualifikues për “Euro 2024”.

Komento: