Kosova luan sonte në “Fadil Vokrri” për ndeshjen e rëndësishme ndaj Greqisë

09:06 | 05 Shtator 2021

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen e katërt kompetitive të grupit B, në kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”.

Kosova e cila është më se e motivuar pas fitores para tre ditësh ndaj Gjeorgjisë, do të luajë sonte sfidën tjetër ndaj Greqisë, me një qëllim të vetëm: arritjen e pikëve maksimale në këtë ballafaqim.

“Dardanët” arritën fitoren historike ndaj Gjeorgjisë para tre ditësh, duke realizuar fitoren e parë ndonjëherë në kualifikimet e një Botërori.

Pas asaj fitore të arritur, Kosova renditet aktualisht e treta me tre pikë, duke qëndruar vetëm prapa dy Kombëtareve si Suedia e Spanja, gjersa rivali i sotëm gjendet në pozitën e katërt me një pikë më pak se Kosova, që nënkupton se do të jetë një “luftë” për se paku pozitën e tretë.

Me një fitore potenciale sonte, Kosova mund të “ëndërrojë” një kualifikim, megjithëse do të jetë e vështirë, por kjo mund të varej edhe në sfidën tjetër pas tre ditësh ndaj Spanjës se çfarë rezultati do të arrihej.

Sidoqoftë përtej çdo ëndrre e iluzioni, detyra e “dardanëve” është që sonte të arrijnë një fitore në “Fadil Vokrri”, që përpos që do të sforconin pozitën e tretë do të merrnin një motiv shtesë për lojën e radhës.

Nga të rejat e lëndimeve, Elbasan Rashani është në dyshim pas një goditje që e mori në ndeshjen e fundit ndaj Gjeorgjisë, sidoqoftë lajm i mirë është rikthimi i Milot Rashicës, dhe ylli i ri i Norwich mund të zë vendin e Rashanit në këtë ballafaqim.

Ndeshja luhet nga ora 20:45 dhe FFK ka njoftuar se vetëm 10% e hapësirës së stadiumit do të jetë në dispozicion dhe kjo hapësirë do të jetë e rezervuar për të dyja ekipet, tifozerinë “Dardanët”, protokollin e shtetit dhe stafin organizativ, gjersa të gjitha biletat për këta pjesëmarrës do të jenë falas, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Komento: