Kosova me prurje të reja për ndeshjet e nëntorit

16:38 | 03 Nëntor 2020

Betim Fazliji nga klubi zviceran St.Gallen dhe sulmuesi i Ballkanit në Superligë, Mirlind Daku, janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës, për ndeshjet e nëntorit kundër Shqipërisë, Sllovenisë dhe Moldavisë.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, e ka publikuar listën me 27 futbollistë për tri ndeshjet e nëntorit.

Po ashtu, Bernard Berisha është rikthyer në Kombëtare, pasi mungoi në ndeshjet e tetorit, për shkak të zënkëes me trajnerin Challandes.

Në Kombëtare janë kthyer edhe Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca, të cilët munguan në ndeshjet e kaluara shkaku i lëndimeve dhe çështjes së Covid-19.

Ndërsa mungesa më e madhe në këtë listë është Arbër Zeneli i Stade de Reims, i cili është i lënduar.

Në listën rezervë bëjnë pjesë Valmir Syljemani dhe Florian Loshaj.

Daku, i cili deri më tash ishte pjesë e Kombëtares U21, është në formë mahnitëse jetësore, pasi i ka shënuar plot 17 gola në 10 ndeshje për liderin e Superligës, Ballkanin, deri tani këtë sezon.

Ai ftohet në Kombëtaren A për herë të parë.

Ekipi kombëtar dardan do të grumbullohen më 9 nëntor në Durrës për t’i nisur përgatitjet për tri ndeshjet e këtij muaji.

Kosova do të përballet me Shqipërinë më 11 nëntor në një ndeshje miqësore vëllazërore, para se të udhëtojë drejt Lubjanës për takimin me Slloveninë tri ditë më vonë në Ligën e Kombeve.

Në 18 nëntor, verdhekaltrit e presin Moldavinë në Prishtinë në takimin e fundit të Grupit 3 në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Kombëtarja dardane do të përpiqet ta shmangë rënien në Ligën D, nga e cila u promovua sezonin e kaluar.

Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia.

Komento: