Kosova, më shumë votues se banorë

08:46 | 12 September 2019

Disproporcion mes listës së votuesve dhe numrit të banorëve.

Kosova ka numër më të madh të votuesve sesa numri i përgjithshëm i popullatës rezidente. Një dukuri e tillë po e përcjellë Kosovën në të gjitha proceset e deritashme zgjedhore.

Sipas listës preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është 1.972.466, derisa, sipas vjetarit statistikor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 numri i popullatës së përgjithshme rezidente në Kosovë ishte 1.795.666.

Lista e votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, buron nga ekstrakti i regjistrit qendror civil dhe përfshinë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

“Arsyeja se pse numri i qytetarëve më të drejtë vote dhe i banorëve është i përafërt është sepse në listën e votuesve janë të përfshirë qytetarë me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në numrin e popullsisë përfshihen vetëm banorët rezidentë që kanë qenë prezent në Kosovë gjatë regjistrimit të popullsisë”, thotë Elezi.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Sipas rezultateve përfundimtare të këtij regjistrimi, numri i banorëve që jetojnë në territorin e Kosovës, duke përjashtuar komunat, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesën veriore të Mitrovicës ishte 1.739.825.

Disproporcioni mes listave të votuesve dhe numrit të banorëve për përfaqësues të shoqërisë civile të cilët merren me monitorimin e zgjedhjeve paraqet një problematikë të madhe në vend.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i qytetarëve me të drejtë vote sesa numri i përgjithshëm i banorëve, mund të cenojë edhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Si vend në vazhdimësi jemi përballur me problemin e listave të fryera të votuesve që në realitet ka shpërfaqur dy probleme që janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Problemi i parë ka të bëjë më pasaktësinë e listës së votuesve ndërsa dhe në anën tjetër është edhe problemi tjetër i pasaktësisë së regjistrimittë popullsisë që është bërë në vitin 2011”.

“Vetë fakti që kemi diku 100 mijë apo më shumë votues se sa që kemi banorë ngjallë mosbesim në integritetin e procesit zgjedhor, pasi që kjo automatikisht rrit mundësinë për keqpërdorim apo manipulim të votave”, thotë Cakolli.

Problemi me listën e votuesve, shton Cakolli do të vazhdojë të mbetet i tillë si për shkak të mungesës së komunikimit institucional pasi që është bërë pak në përditësimin e kësaj liste.

“Një pjesë të fajit për mos përditësimin e kësaj liste zgjedhore duhet t’i atribuohet vetë qytetarëve të cilët nuk i kanë deklaruar personat e vdekur në listat zgjedhore”, thotë ai.

Në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, në listën e votuesve janë përfshirë edhe personat që ndërkohë kanë mbushur 18 vjet dhe kanë fituar të drejtën për të votuar.

Zëdhënësi Valmir Elezi thotë se në listën preliminare të votuesve janë edhe 115.215 votues të rinj. Prej tyre, një numër i konsiderueshëm, thekson Elezi, do të votojnë për herë të parë në zgjedhje, ndërkaq pjesa tjetër janë votues që ishin llogaritur si votues për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit më 2017.

Sa i përket numrit të qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës llogaritet të jenë deri në 800 mijë, por, në regjistrimin e diasporës, proces i nisur nga autoritetet e Kosovës vite më parë deri më tani janë regjistruar vetëm rreth 400 mijë qytetarë.

Ndërkohë, sipas organizatës joqeveritare ‘Germin’ që merret me organizmin e diasporës, janë rreth 350 mijë votues nga diaspora me të drejtë vote.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë përgatitjeve të procesit zgjedhor të 6 tetorit sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, ka larguar si votues të vdekur ose që kanë hequr dorë nga shtetësia 33.701 emra të votuesve.

Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian, në vlerësimin e bërë në vitin 2017 të procesit zgjedhor, përveç tjerash kishte kërkuar nga autoritetet kompetente që në të ardhmen, certifikatat e vdekjes të lëshohen në mënyrë automatike dhe jo me kërkesë të familjarëve, siç veprohet aktualisht në Kosovë.

Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017 ishte 1,872,941.

Komento: