Kosova merr hua 58 milionë euro nga BERZH-i për një projekt të prodhimit të energjisë elektrike përmes erës

11:43 | 17 Dhjetor 2019

BERZH i jep 58 milionë euro hua Kosovës për një projekt të prodhimit të energjisë elektrike përmes erës.

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim do të ndihmojë Kosovën me 58 milionë euro hua, për financimin e një projekti për prodhimin e energjisë elektrike përmes erës.

Ky projekt i cili planifikohet të prodhojë deri në 105 Megavat energjisë elektrike do të ndërtohet në Bajgorë.

Megjithatë këto para të BERZH të cilat i jepen Kosovës si hua janë vetëm gjysma e shumës që kërkohet për financimin e një projekti të tillë, ndërkohë pjesa tjetër do të mbulohet nga disa banka dhe nga Agjencia Gjermane për kredi Euler Hermes.

Pas përfundimit të këtij projekti, Bajgora do të mbulojë rreth 10 për qind të kapaciteteve të furnizimit me energji, duke shmangur kështu emetimin e 247 mijë tonëve të dyoksidit të karbonit për një vit. Një gjë e tillë konsiderohet si një kontribut i rëndësishëm në lehtësimin e ndryshimeve klimatike.

Njëherit ky do të jetë centrali më i madh i ndërtuar në Kosovë që nga vitet e 80-ta dhe paraqet një tranzicion të zhvillimit të sektorit të energjisë në Kosovë.

Përmes këtij projekti do të shmanget ndotja masive e shkaktuar nga djegia e qymyrit në dy termocentralet kryesore ekzistuese në Kosovë.

Ky projekt siç shkruhet në faqen zyrtare të BERZH, do të hap rrugën drejt rritjes së kapaciteteve në 200 Megavat dhe gjithashtu arritjes së objektivit në 400 Megavat deri në vitin 2026.

Komento: